Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri ka pranuar një donacion me vlerë nga mërgimtari z. Isak Neziri, i cili ka dhuruar tre llaptopë për të ndihmuar procesin mësimor në vendlindje.
Ky akt bujar është një dëshmi e lidhjes së fortë që bashkatdhetarët tanë në diasporë vazhdojnë të ruajnë me vendin, duke kontribuar konkretisht në përmirësimin e kushteve të arsimit. Donacioni i llaptopëve është dorëzuar për Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “12 Qershori” në fshatin Mihaliq, me synimin për të mbështetur mësimdhënien dhe mësimnxënien më efikase.
Në emër të DKA-së, është shprehur mirënjohje e thellë për z. Neziri, duke e cilësuar kontributin e tij si shembull frymëzues që duhet ndjekur nga të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë.
Ky është edhe një tregues se kur bashkohen vullneti i mirë dhe dashuria për vendlindjen, ndikimi pozitiv është i pashmangshëm në të ardhmen e brezave të rinj.