Me afrimin e verës, shumë njerëz i drejtohen destinacioneve bregdetare për të shijuar diellin dhe detin, nga plazhet e qeta të Azisë Juglindore deri tek brigjet me diell të Mesdheut.
Por ndërsa relaksimi nën rrezet e diellit mund të duket i këndshëm, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet e ekspozimit të tepërt, të cilat shkojnë përtej djegieve të përkohshme dhe mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e kancerit të lëkurës.
Një analizë e realizuar nga ekspertët e shëndetit të Compare the Market ka shqyrtuar disa faktorë që ndikojnë në rrezikun e dëmtimit nga dielli në qytete të ndryshme të botës, përfshirë indeksin mesatar ultravjollcë (UV), lartësinë dhe shkallën e vdekshmërisë nga kanceri i lëkurës për 100,000 banorë.
Australia dominon listën e qyteteve me rrezikun më të lartë. Kanberra kryeson renditjen, pavarësisht një indeksi UV relativisht modest prej 4.0. Lartësia e saj prej 638 metrash e amplifikon intensitetin e rrezatimit UV, duke sjellë një shkallë vdekshmërie nga kanceri i lëkurës prej 4.76 për 100,000 banorë.
Sidney ndjek nga afër me një indeks UV prej 7.1 dhe të njëjtën shkallë vdekshmërie. Lartësia e tij e ulët (53 metra) nuk e zbut rrezikun e lartë të dëmtimeve nga dielli. Edhe Perth, në vendin e tretë, ka indeksin më të lartë UV (7.3) mes pesë qyteteve kryesore dhe po ashtu një shkallë vdekshmërie prej 4.76.
Lubjana, kryeqyteti i Sllovenisë, është e vetmja që thyen dominimin australian në pesëshen e parë, duke u renditur e katërta. Me një indeks UV prej 4.3 dhe një shkallë vdekshmërie prej 3.86, ajo dëshmon se rreziqet e djegieve dhe dëmtimeve të lëkurës nuk kufizohen vetëm në zonat tropikale.
Melburni mbyll pesëshen e parë, duke treguar se mbrojtja nga dielli është thelbësore në të gjitha qytetet kryesore australiane, pavarësisht ndryshimeve në indeksin UV apo lartësi.
Ekspertët këshillojnë që gjatë pushimeve verore të mos neglizhohen masat mbrojtëse, si përdorimi i kremrave kundër diellit, veshjet mbrojtëse dhe shmangia e ekspozimit gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Një kujdes i vogël mund të bëjë diferencën mes një pushimi të bukur dhe një rreziku serioz për shëndetin.