A e ke ditur se një puthje e përditshme mund të të zgjasë jetën? Një studim gjerman në vitet ’80 zbuloi se burrat që puthnin gratë çdo mëngjes jetonin mesatarisht pesë vite më gjatë, kishin më pak aksidente dhe fitonin më shumë. Po, është e vërtetë. Studimi i famshëm i Harvardit për zhvillimin e të rriturve, një nga më jetëgjatët në histori, arriti në të njëjtin përfundim: marrëdhëniet e ngushta dhe të shëndetshme janë çelësi për një jetë të gjatë, të lumtur dhe të shëndetshme.
Lidhjet e forta romantike ulin stresin, përmirësojnë shëndetin e zemrës, forcojnë sistemin imunitar dhe rrisin jetëgjatësinë. Ndërkohë, mungesa e lidhjeve të thella mund të çojë në vetmi, depresion dhe madje edhe sëmundje fizike. Pra, pse mos të investosh në marrëdhënien tënde? Pse të lejosh që lodhja, rutina apo mospajtimet të zbehin lidhjen mes jush? Marrëdhënia jote nuk është vetëm për dashuri – është edhe për shëndetin dhe mirëqenien tënde.

Pra, të mos investosh në marrëdhënien tënde është si të injorosh shëndetin tënd. E vërteta është kjo: nëse nuk e përkujdes marrëdhënien, rrezikon të largohesh nga partneri dhe ndoshta të përballesh me një ndarje të dhimbshme më vonë.