Përdorimi i aplikacioneve për ndarjen e lokacionit është bërë gjithnjë e më i zakonshëm mes çifteve, duke sjellë diskutime mbi ndikimin që kanë në marrëdhënie. Ndërsa për disa kjo praktikë ofron ndjesi sigurie dhe afërsie, për të tjerë është një formë kontrolli dhe mbikëqyrjeje.
Sipas të dhënave nga kompania Life360, 95% e të rriturve përdorin teknologji për ndarjen e vendndodhjes dhe 40% mbështeten në aplikacione të posaçme. Hulumtimi tregon se 60% e përdoruesve besojnë se ndarja e lokacionit e forcon lidhjen, ndërsa 70% thonë se ndihmon në organizimin e përditshëm.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për efektet negative që kjo mund të ketë. Terapistja për çifte, Joanna Harrison, vë në dukje se ndarja e vazhdueshme e lokacionit mund të dëmtojë balancën mes pavarësisë dhe afërsisë në një marrëdhënie. Sipas saj, kjo praktikë mund të zbehë romantikën dhe ndjenjën e pritjes.
Ndërkohë, Anna Martin, drejtuesja e podkastit “Modern Love”, e konsideron këtë mundësi si një “superfuqi” që duhet përdorur me përgjegjësi. Ajo thekson se ndonjëherë është më mirë që aplikacioni të çaktivizohet, për të ruajtur një ndjenjë të shëndetshme lirie në çift.
Ekspertët rekomandojnë që partnerët të flasin hapur për kufijtë dhe nevojën për privatësi, për të ruajtur një marrëdhënie të balancuar dhe të qëndrueshme.