Aktori britanik Michael Ward, i njohur për rolin e tij në serialin e njohur “Top Boy”, është vënë nën hetim për akuza të rënda për përdhunim dhe sulm seksual. 26-vjeçari pritet të dalë para Gjykatës së Magjistraturës së Thames më 28 gusht, në lidhje me një incident të dyshuar që ka ndodhur në janar të vitit 2023.
Sipas autoriteteve britanike, viktima është një grua beqare, e cila ka vendosur të denoncojë rastin. Policia Metropolitane në Londër ka bërë të ditur se vijon të mbështesë emocionalisht dhe ligjërisht viktimën gjatë këtij procesi.
Oficerët tanë të specializuar vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për gruan që vendosi të raportojë rastin. E dimë që hetime të tilla mund të kenë ndikim të thellë psikologjik për personat që bëjnë ankesa
-tha Kryeinspektori i Detektivëve, Scott Ware.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës ka theksuar rëndësinë e respektimit të procesit ligjor dhe të drejtës së aktorit për një gjykim të drejtë.
Dëshirojmë të kujtojmë se procesi gjyqësor është në vazhdim dhe i akuzuari ka të drejtë për një gjykim të drejtë. Është thelbësore që publiku të mos ndajë ose komentojë materiale që mund të ndikojnë në hetim
-u shpreh Catherine Backas, zëvendës kryeprokurore për Londrën Jugore.
Michael Ward nuk ka reaguar ende publikisht lidhur me akuzat. Aktori është një nga figurat e reja të kinemasë britanike dhe ka marrë vlerësime të shumta për performancat e tij në film dhe televizion.