Aktorja ikonë e ekranit amerikan, Eileen Fulton, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga shtëpia funerale Groce Funeral Home, e cila njoftoi se ajo u nda nga jeta më 14 korrik në Asheville, Karolina e Veriut, pas një periudhe të vështirë shëndetësore.
Fulton u bë e famshme për rolin e saj si Lisa Grimaldi në serialin e gjatë “As the World Turns”, një nga figurat më të njohura dhe më jetëgjata në historinë e televizionit amerikan.
Roli i saj ishte pionier në ndërtimin e personazhit të gruas komplekse dhe të pavarur në botën e telenovelave.
Eileen, e lindur më 13 shtator 1933 si Margaret Elizabeth McLarty, u rrit në një familje modeste – me të atin predikues metodist dhe nënën mësuese.
Për dekada me radhë, ajo u bë pjesë e përditshmërisë së miliona amerikanëve që e ndoqën me pasion serialin ku ajo interpretoi për më shumë se 50 vite.
Ajo do të kujtohet si një nga aktoret më të dashura të ekranit dhe si një emër që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e televizionit.