Aktori i njohur amerikan Paul Wesley, 42 vjeç, i cili fitoi famë ndërkombëtare me rolin e Stefan Salvatore në serialin “Vampire Diaries”, është fejuar me modelen gjermane Natalie Kuckenburg, 25 vjeç.

Natalie ndau lajmin e bukur me ndjekësit e saj në Instagram, duke postuar një fotografi ku tregon unazën e fejesës dhe mbishkrimin romantik:
Po. Gjithmonë dhe përgjithmonë.
Çifti u shfaq për herë të parë publikisht në nëntor të vitit 2022, gjatë një udhëtimi në Itali, vend të cilin e kanë për zemër dhe që vazhdojnë ta vizitojnë shpesh.

Këtë verë, ata po kalojnë pushimet pikërisht atje, dhe kanë ndarë me ndjekësit momente nga qëndrimi i tyre në Toskanë.
Më parë, Wesley ka deklaruar për revistën People se “e qeshura është çelësi i një marrëdhënieje të suksesshme”.

Para kësaj lidhjeje, aktori ka qenë i martuar me Ines de Ramon, e cila aktualisht është në një lidhje me aktorin Brad Pitt. Divorci mes Paul dhe Ines u finalizua në vitin 2024, pasi u konfirmua ndarja e tyre në shtator 2022.

Nga ana tjetër, Natalie Kuckenburg ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në botën e modës, dhe është pjesë e agjencisë prestigjioze Elite Model Management. Fejesa e tyre ka sjellë reagime të shumta pozitive nga fansat dhe ndjekësit në rrjete sociale.