Një mbrëmje që pritej të ishte e paharrueshme për fansat e Beyoncé në Atlanta u kthye në kaos, pasi pas përfundimit të koncertit të saj në stadiumin Mercedes-Benz më 15 korrik, në stacionin e metrosë Vine City shpërtheu panik që la të paktën 11 persona të plagosur.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, incidenti nisi nga një britmë e një vajze 10-vjeçare, e cila dyshohet se ishte trembur nga një insekt.
Kjo mjaftoi për të shkaktuar një valë frike në mesin e turmës së madhe që ndodhej në stacion, duke nxitur njerëzit të vrapojnë në panik drejt shkallëve lëvizëse.
Pikërisht këto shkallë, për arsye ende të paqarta, fillimisht përshpejtuan papritur lëvizjen dhe më pas u ndalën, duke bërë që shumë persona të rrëzoheshin e të përplaseshin me njëri-tjetrin.
Pamjet që janë shpërndarë në rrjete sociale tregojnë skena dramatike me njerëz të shtrirë në tokë, një këmbë të gjakosur dhe të pranishëm që ndihmonin njëri-tjetrin në përpjekje për të shmangur tragjedinë.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur plotësisht shkaqet e incidentit, ndërsa stacioni i metrosë u mbyll përkohësisht për arsye sigurie.
Për fat të mirë, asnjë nga të plagosurit nuk raportohet në gjendje të rëndë.