Jensen Huang është bashkëthemelues dhe CEO i Nvidia-s, kompania që ka udhëhequr revolucionin e Inteligjencës Artificiale (IA) e është bërë ndër më të vlefshmet në botë nën drejtimin e tij. Gjatë një vizite në Pekin, Huang u pyet nga një gazetar: “Po të ishe një 22-vjeçar që sapo është diplomuar sot në vitin 2025, por me të njëjtën ambicie si më parë, në cilën fushë do të përqendroheshe?”.
Jenseni i ri, 20-vjeçar, që sapo është diplomuar, me shumë gjasë do të kishte zgjedhur më tepër shkencat fizike se shkencat e softuerit. Jam diplomuar dy vite më herët, në moshën 20-vjeçare. Shkencat fizike fokusohen në studimin e sistemeve jo të gjalla, përfshirë fizikën, kiminë, astronominë e shkencat e tokës.
Huang ka përfunduar studimet në inxhinieri elektrike në Oregon State University në vitin 1984. Diplomën master në të njëjtën fushë e mori nga Stanford University, më 1992-shin.
Rreth një vit më pas, në prill të vitit 1993, bashkëthemeloi kompaninë Nvidia me inxhinierët Chris Malachowsky e Curtis Priem, gjatë një dreke në një restorant në San Jose, Kaliforni. Nën drejtimin e Huang-ut si CEO, kompania është shndërruar në një nga më të fuqishmet në botë.
Nvidia u bë gjithashtu kompania e parë në botë që arriti një kapitalizim tregu prej 4 trilion dollarësh javën e kaluar. Edhe pse Huang nuk e sqaroi qartë arsyen pse sot do të zgjidhte shkencat fizike, ai është shprehur më parë shumë entuziast për atë që e quan “IA Fizike”, ose siç e përshkruan, “faza e radhës”.
Gjatë 15 viteve të fundit, sipas tij, bota ka kaluar disa faza të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. Në muajin prill, në një forum në Uashington D.C., shpjegoi këtë evolucion:
IA moderne hyri në vëmendjen globale rreth 12 deri në 14 vite më parë, kur u prezantua AlexNet dhe u arrit një përparim i madh në vizionin kompjuterik.
AlexNet ishte një model kompjuterik i paraqitur në një garë në vitin 2012, i cili tregoi se makineritë mund të njohin imazhe duke përdorur të mësuarin e thellë, një zhvillim që ndihmoi në nisjen e bumit modern të IA-së.
Kjo fazë e parë njihet si “IA e perceptimit”, shpjegoi Huang.
Më pas erdhi vala e dytë, e quajtur “IA gjenerative”:
Modeli i IA-së ka mësuar jo vetëm të kuptojë informacionin, por edhe ta përkthejë atë në gjuhë të ndryshme, imazhe, kode e të tjera. Tani jemi në epokën që quhet “IA e arsyetimit”, ku kemi IA që mund të kuptojë, të gjenerojë, të zgjidhë probleme e të njohë kushte që nuk janë parë më herë. Sot, Inteligjenca Artificiale është në gjendje të përdorë arsyetimin për të zgjidhur probleme.
IA e arsyetimit na lejon të krijojmë një formë robotësh dixhitalë. I quajmë agjentë të IA-së. Këta agjentë të IA-së, në thelb janë punëtorë dixhitalë, të aftë për të arsyetuar. Aktualisht, këta agjentë janë në fokusin kryesor të shumë kompanive të teknologjisë.
Duke parë nga e ardhmja, faza tjetër quhet “IA fizike”.
Vala e ardhshme kërkon që ne të kuptojmë gjëra si ligjet e fizikës, friksioni, inercia, shkaku dhe pasoja, tha Huang në Uashington, në muajin prill. Aftësi të tilla si arsyetimi fizik, për shembull, koncepti i qëndrueshmërisë së objekteve edhe kur nuk shihen do të jenë themelore në këtë fazë të ardhshme të Inteligjencës Artificiale.
Zbatimet e këtij arsyetimi fizik përfshijnë: parashikimin se nga do të rrokulliset një top, vlerësimin e forcës së duhur për të kapur një objekt pa e dëmtuar, apo të kuptuarit e pranisë së një këmbësori pas një makine.
Dhe kur IA fizike vendoset në një objekt fizik, të quajtur robot, atëherë kemi të bëjmë me robotikë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne tani, sepse po ndërtojmë fabrika në të gjithë SHBA-të.
Shpresoj që në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa ndërtojmë këtë brez të ri fabrikash, ato të jenë të automatizuara, të mbështetura në robotikë e të na ndihmojnë të përballojmë mungesën serioze të fuqisë punëtore që po përjetojmë në të gjithë botën.