Nëse Mbretëria e Bashkuar do të ketë apo jo një Familje Mbretërore në të ardhmen mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt – nuk do të mungojnë artistët që do të pikturojnë figurat mbretërore, qoftë edhe në formë roboti.
Një portret i ri i titulluar “Mbreti i Algoritmeve” është realizuar nga Ai-Da, një artiste robot me inteligjencë artificiale, e cila përmes teknologjisë ka krijuar një përfaqësim modern të Mbretit Charles III.

Ai-Da, e përshkruar si “artisti robot ultrarealist” i parë në botë, përdor algoritme të avancuara dhe një krah robotik për të pikturuar.
Ajo shfrytëzon gjithashtu kamerat në sytë e saj për të mbledhur informacion vizual që më pas e përpunon përmes AI për të krijuar portrete të detajuara. Më parë, Ai-Da ka realizuar edhe një portret të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II.
Roboti është krijuar nga tregtari britanik i artit Aidan Meller dhe u ndërtua në Cornwall nga kompania Engineered Arts.
Përveç pikturës, Ai-Da është në gjendje të zhvillojë edhe biseda me njerëzit përmes modelimit të avancuar të gjuhës.

Gjatë një paraqitjeje në selinë e Kombeve të Bashkuara, Ai-Da u shpreh:
Është një privilegj të jem pjesë e këtij eventi të jashtëzakonshëm në OKB, i rrethuar nga ata që formësojnë të ardhmen e teknologjisë dhe kulturës. Prezantimi i portretit tim të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III, nuk është thjesht një akt krijues, por një deklaratë mbi rolin në zhvillim të inteligjencës artificiale në shoqëri dhe ndikimin e saj në peizazhin kulturor.
Veprat e saj janë ekspozuar në disa prej institucioneve më prestigjioze të artit, si Tate Modern, V\&A, Somerset House dhe Muzeu i Dizajnit në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në vende ndërkombëtare si Piramidat e Egjiptit dhe Bienalja e Venedikut.
Në vitin 2024, Ai-Da bëri histori kur një nga veprat e saj u shit në Sotheby’s për 1 milion dollarë, duke e konsoliduar pozitën e saj si një nga zërat më inovativë të botës së artit modern.