Presidenti amerikan, Donald Trump, është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze (CVI), një gjendje e zakonshme e qarkullimit të gjakut që prek kryesisht të moshuarit. Lajmi u bë i ditur nga Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot.
Sipas mjekëve, CVI shkakton ënjtje të lehta në këmbë dhe kyçe si pasojë e mosfunksionimit të valvulave të venave. Megjithatë, ekzaminimet mjekësore, përfshirë ultratingujt Doppler dhe një eko të zemrës, nuk treguan asnjë shenjë për probleme më serioze si tromboza e thellë venoze, sëmundje arteriale apo dështim kardiak.
Zemra e Trump rezultoi në gjendje normale për sa i përket strukturës dhe funksionit.
Kjo diagnozë vjen në një kohë kur janë shtuar spekulimet në media për shenja mavijosjeje në duart e tij dhe ënjtje në gjymtyrët e poshtme.
Mjekët i kanë lidhur këto simptoma me faktorë të padëmshëm, si shtrëngimet e shpeshta të duarve dhe përdorimi i përditshëm i aspirinës – pjesë e trajtimit të tij për kujdesin kardiovaskular.
Shtëpia e Bardhë theksoi se gjendja e presidentit është plotësisht e menaxhueshme dhe nuk ndikon në aktivitetet e tij të përditshme.
CVI prek rreth 5% të të rriturve, veçanërisht ata mbi 70 vjeç, dhe trajtimi zakonisht përfshin masa si ngritja e këmbëve, veshja e çorapeve kompresuese dhe ushtrime fizike të lehta.
Trump, i cili është 79 vjeç, do të vazhdojë kontrollet e rregullta mjekësore, ndërsa ekipi i tij siguroi se gjendja e tij shëndetësore nuk përbën asnjë pengesë për angazhimet e tij politike.