Sporti amerikan ka humbur një nga figurat e tij të dashura. Ish-lojtari i Philadelphia Eagles dhe Houston Texans, Bryan Braman, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, pas një beteje të shkurtër, por të rëndë me kancerin.
Lajmin e trishtë e konfirmoi agjenti i tij të enjten, duke theksuar se Braman u largua nga kjo botë duke lënë pas dy vajzat e tij të mitura, Blakely (11 vjeç) dhe Marlowe (8 vjeç).
Në ndihmë të Braman-it dhe familjes së tij u organizua një fushatë në platformën GoFundMe, ku u mblodhën mbi 88 mijë dollarë për të mbuluar kostot mjekësore. Ndër kontribuesit ishte edhe ylli i NFL-së, JJ Watt, i cili dhuroi 10 mijë dollarë dhe e përkujtoi mikun e tij me fjalët prekëse:
Pusho në paqe, vëlla. Ike shumë herët.
I njohur për shpirtin luftarak në fushë dhe për përkushtimin ndaj skuadrës, Braman ishte një nga ata lojtarë që fituan respektin jo vetëm për aftësitë atletike, por edhe për karakterin.
Ai mbetet një figurë e dashur për komunitetin e NFL-së dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.