Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjesh që kanë ndodhur në komunën e Vushtrrisë. Arrestimet janë bërë pas hetimeve intensive të zhvilluara nga hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri, lidhur me tre raste të raportuara para tre ditësh.
Të dyshuarit janë identifikuar dhe ndaluar mbi baza të dyshimeve të arsyeshme dhe provave të mbledhura, të cilat tregojnë se ata kanë vepruar së bashku në tre lokacione të ndryshme brenda komunës. Sipas njoftimit të policisë, objekt i vjedhjeve kanë qenë materiale ndërtimi, pajisje shtëpiake, një telefon dhe sende të tjera.
Policia ka arritur të rikuperojë disa nga sendet e vjedhura, përfshirë edhe telefonin, i cili tashmë i është kthyer pronarit ligjor.
Pas intervistimit të të dyshuarve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, një i rritur është ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të miturit janë liruar dhe procedura ndaj tyre do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.