Rosé Aleixo Duarte Azevedo, shoferi i kamionit që publikoi pamjet tronditëse të Lamborghinit në flakë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën futbollisti i Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllai i tij, Andre Silva, ka reaguar pas valës së kritikave që mori në rrjet.
Ai është akuzuar se në vend që të ndihmonte në vendngjarje, zgjodhi të filmonte me celular.
Por në një video të dërguar për median portugeze “Correio da Manhã”, ai tregon versionin e tij dhe përpiqet të shpjegojë veprimet e bëra në ato momente dramatike.
E kam filmuar zjarrin kur po kalonim pranë vendit dhe disa metra më tutje u ndala, mora fiksen e zjarrit dhe u përpoqa ta shuaja, por për fat të keq nuk munda të bëj asgjë. Ndërgjegjja ime është e pastër
-deklaroi Azevedo.
Ai shtoi se në vendngjarje ndodhej edhe një shofer tjetër portugez, dëshmitar okular i aksidentit, i cili kishte parë sesi makina kishte dalë nga rruga.
Azevedo mohoi gjithashtu pretendimet se automjeti i dy vëllezërve kishte qenë me shpejtësi të lartë.
Familja më ka thënë se nuk po ecte shpejt. Ishte një rrugë shumë e errët dhe e papërshtatshme. Unë e dallova markën dhe ngjyrën e makinës kur më kaluan, rreth pesë minuta para aksidentit. Po ngisnin shumë qetësisht
Pamjet e publikuara nga ai ndezën një debat të fortë në opinionin publik, mes etikës dhe humanitetit në raste tragjike. Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit fatal.