Sofia Vergara dhe Tom Brady po përfliten si çifti më i ri i botës së famës, pas një udhëtimi të përbashkët plot luks dhe vëmendje në Ibiza.
Sipas “Page Six”, dyshja u takuan gjatë një feste ekskluzive në jahtin luksoz “Luminara”, e mbushur me të ftuar të njohur si Naomi Campbell, Kendall Jenner dhe Kate Hudson.

Romanca e dyshuar nisi rreth një javë më parë në këtë event, që përfshinte edhe një udhëtim dy-ditor nga Roma drejt brigjeve spanjolle, me performanca nga artistë si Sting dhe Ellie Goulding.
Burime për “Page Six” thonë se Brady nuk e la rastësisë afrimin me Vergarën, madje kërkoi që të ndërrohej vendi në tavolinë për të qëndruar pranë saj.

Një fotografi e realizuar gjatë darkës i tregon ata ulur ngjitur, me sy të përqendruar ndaj njëri-tjetrit – duke ngritur dyshimet për më shumë se thjesht një njohje shoqërore.
Pas festës në jaht, dyshja udhëtuan së bashku drejt Ibizas, ku thuhet se kanë vazhduar të kalojnë kohë bashkë, duke rritur spekulimet për një lidhje të mundshme mes ish-yllit të NFL-së, 47 vjeç, dhe aktores kolumbiane, 53 vjeç.
Asnjëri prej tyre nuk ka komentuar publikisht lidhur me këto raportime, por fansat tashmë janë të ngazëllyer për mundësinë e një “çifti të papritur” të verës në Hollywood.