Reperi i njohur shqiptar Noizy është ndaluar të shtunën në aeroportin e Zvicrës, me urdhër të Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme.
Lajmin e ka publikuar media zvicerane “Watson.ch”, e cila raporton se ndaj artistit është kërkuar masa e paraburgimit.
Sipas të njëjtave burime, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje specifike mbi veprat penale për të cilat Noizy akuzohet, por bëhet e ditur se ndaj tij janë duke u zhvilluar disa procedura ligjore.
Reperi ndodhet në Zvicër që prej ditës së shtunë, ku kishte mbërritur për të performuar në një nga klubet lokale. Aktualisht, ai mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet nuk kanë shpallur ende një vendim përfundimtar.
Derisa procesi të përfundojë, për Noizyn mbetet në fuqi parimi i prezumimit të pafajësisë. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të vendoset nga organet gjyqësore zvicerane për fatin e tij.