Prej kohësh, truri është parë si qendra e mendimit dhe emocioneve. Por sot, shkenca moderne po konfirmon diçka befasuese: në barkun tonë jeton një sistem nervor kompleks, “truri i dytë”, i njohur si sistemi nervor enterik, i cili ndikon drejtpërdrejt në emocionet, vendimmarrjen dhe madje edhe në shëndetin mendor.
Ky “trur i dytë” përmban mbi 100 milion neurone, më shumë se palca kurrizore, dhe komunikon me trurin përmes nervit vagus. Ky komunikim është i dyanshëm, çka do të thotë që jo vetëm mendimet tona ndikojnë në stomak, por edhe ajo çfarë ndodh në zorrë ndikon në gjendjen tonë emocionale. Një studim i publikuar në “Psychiatry Research” tregoi se:
Njerëzit që konsumonin rregullisht probiotikë dhe ushqime fermentuara kishin më pak gjasa të përjetonin ankth, irritim apo depresion. Bakteret “e mira” në mikrobiomën e zorrëve prodhojnë neurotransmetues si serotonina, dopamina dhe GABA, të cilët rregullojnë humorin.
Çfarë mund të bëjmë në praktikë?
- Ushqime të pasura me fibra – ndihmojnë bakteret e dobishme të rriten. Përfshijnë brokolin, farat chia, fasulet dhe tërshërën.
- Ushqime të fermentuara – si kosi, kimchi, kefiri, turshitë natyrale.
- Reduktimi i sheqerit dhe ushqimeve të përpunuara, të cilat prishin balancën bakteriale.
- Menaxhimi i stresit, pasi edhe tensioni psikologjik ndikon në mjedisin e brendshëm të zorrës.
Kjo lidhje tronditëse mes zorrëve dhe trurit ka bërë që shumë psikologë dhe gastroenterologë të bashkëpunojnë në trajtimin e çrregullimeve si ankthi, depresioni apo edhe autizmi, jo vetëm me terapi mendore, por edhe me ndryshime në ushqyerje. Nëse ndihesh i irrituar, i stresuar ose i shpërqendruar, ndoshta përgjigjja nuk është vetëm te meditimi apo pushimi, por edhe në atë që po vendos në pjatën tënde. Sepse, ndonjëherë, truri yt i vërtetë… mund të jetë në stomak.