Ishte 27 Gushti i 1953 kur Gregory Peck dhe Audrey Hepburn do të shiheshin në ekranin e madh të Radio City Music Hall në New York, në një nga historitë më të pafajshme por njëkohësisht më të mëdhatë të dashurisë në një film që konsiderohet si një nga klasikët më të rëndësishëm të artit të shtatë – “Roman Holiday”.
Rikthimi i tij në qëndër të vëmendjes nga Netflix ka bërë që shikuesi (t) t’i rikthehet për herë të 239739427 ose për herë të parë. Pushimet Romane ishte komedia e parë e William Wyler në thuajse 20 vjet.
Nga premisa e vjetër sa bota, e një historie ku një princeshë bie në dashuri me një njeri të zakonshëm, Ian McLellan Hunter dhe John Dighton kanë shkruar një skenar të pavdekshëm që koha mund ta pluhurosi por shijen e ka të pakrahasueshme, si të një vere të mirë të harruar në raft prej dekadash.

Bukuria e një ndër yjeve më shkëlqyes të Hollywood-it debutoi aty pikërisht me rolin e princeshës e cila donte të ndjente e të kishte më tepër sesa jeta luksoze që bëntë – ishte në kërkim të diçkaje të vërtetë, autentike, të thjeshtë e njëkohësisht të rrallë, të vogël por madhështore e të përjetshme.
Princesha Hepburn e gjen veten të shkëputur e të lodhur nga angazhimet e saj sipërfaqësore prej princeshe dhe vendos të shohë Romën me dëlirësinë e një të vdekshmi të zakonshëm. Roma, sot e kësaj dite ngelet një prej qyteteve më eksituese në planet, e vetmja mundësi për ta shijuar vërtet është ta bredhësh në këmbë, me rrugë e rrugica që asnjëherë nuk e di se ku do të çojnë. Në vitet ’50 ishte një magji e një tjetër lloji. Pikërisht në atë magji ajo njeh një gazetar (Peck) i cili bën sikur nuk e njeh princeshën për të shitur historinë e saj në gazetën ku punon, por rrugës bie në dashuri me atë grua e cila është shumë më shumë se ajo që përfaqëson