Jeff Bezos nuk dëshiron të përsërisë gabimet e së kaluarës. Pas ndarjes nga MacKenzie Scott në vitin 2019, që i kushtoi rreth 40 miliardë dollarë, themeluesi i Amazon ka siguruar martesën e tij me Lauren Sanchez me një marrëveshje paramartesore të detajuar dhe të mbrojtur mirë ligjërisht.
Sipas mediave ndërkombëtare, marrëveshja përjashton të gjitha pasuritë që Bezos kishte përpara martesës nga çdo ndarje e mundshme në rast divorci.
Ajo përfshin gjithashtu klauzola mbi pronat, investimet, kujdestarinë e fëmijëve dhe një bonus të veçantë për nënshkrimin e marrëveshjes.
Dokumenti është hartuar sipas ligjeve të Floridës, ku çifti edhe jeton. Ky shtet u zgjodh për të shmangur detyrimin e zbardhjes së të gjitha pasurive të Bezos, siç kërkohet në Kaliforni, dhe për të shmangur sfidat që mund të paraqiten në vende ku marrëveshjet e tilla nuk kanë fuqi ligjore, si në Itali apo Britani.
Ceremonia e tyre romantike në Venecia kishte vlerë simbolike, ndërsa martesa ligjore u regjistrua në Florida. Marrëveshja përcakton se çdo mosmarrëveshje do të zgjidhet nën juridiksionin e këtij shteti, duke shmangur çështje të mundshme në vende të tjera.
Kjo lëvizje e Bezos tregon vendosmërinë e tij për të mbrojtur pasurinë dhe kontrollin mbi të ardhmen financiare, ndërkohë që nis një kapitull të ri me partneren e tij.