Pas përfundimit të konkursit publik të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) për pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, procesi ka rezultuar pa përzgjedhje të një kandidati të suksesshëm.
Sipas burimeve të Antenës, në konkurs kishin aplikuar vetëm dy kandidatë. Njëri prej tyre nuk mori pjesë fare në testimin me shkrim, ndërsa kandidati tjetër arriti të grumbullojë vetëm 18 pikë nga gjithsej 100 të mundshme.
Bazuar në kriteret e përcaktuara nga ShSKUK, për të kaluar testimin me shkrim kandidati duhet të ketë së paku 50 pikë, gjë që nuk u arrit nga asnjëri prej aplikuesve. Si pasojë, konkursi pritet të shpallet përsëri në ditët në vijim.
Në ndërkohë, burime jozyrtare bëjnë të ditur se si ushtrues detyre në pozitën e drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë është rikthyer doktori Mursel Pllana, i cili edhe më herët ka mbajtur këtë pozitë në mënyrë të përkohshme.
Kujtojmë se pas përfundimit të mandatit të ish-drejtoreshës Shefkije Shatri, në pozitën e ushtruesit të detyrës ishte emëruar doktori Fitim Meniqi, i cili nuk kishte aplikuar në konkursin e fundit për drejtor të këtij institucioni shëndetësor.