Kampioni aktual i Formula 1, Max Verstappen, raportohet se ka refuzuar të xhirojë një skenë në një klub nate për filmin e ri të garave të Brad Pitt.
Filmi titullohet F1: The Movie – megjithëse titulli i punës Apex sipas disa mendimeve duhej të kishte mbetur – dhe kombinon personazhe fiktivë (Damson Idris si Joshua Pearce dhe Pitt si Sonny Hayes) me pilotë të vërtetë të sezoneve 2023/24, përfshirë George Russell dhe Lewis Hamilton nga Mercedes, Charles Leclerc nga Ferrari, dhe Lando Norris nga McLaren.
Por, edhe pse shfaqet përkrah rivalëve të tij nga garat, gazeta The Telegraph ka zbuluar se piloti i Red Bull-it, Verstappen, nuk ka dashur të jetë pjesë e një skene të caktuar që më pas u hoq nga filmi, dhe madje ka refuzuar ftesat për të marrë pjesë në shfaqjet speciale të filmit në Monako dhe në New York.
I pyetur nga Planet F1 pse i kishte anashkaluar këto evente plot shkëlqim, holandezi u përgjigj: “Desha të kaloja më shumë kohë private – sepse në fund të ditës, edhe mbrëmja është kohë private.”
“Mendoj se filmi del më 27 qershor [në SHBA], kështu që do ta shkarkoj në Apple [TV+].”
“Patjetër që kisha mundësi ta shikoja, por nëse e shikoj tani apo pas tre ose katër javësh, është në rregull gjithashtu. Kam dëgjuar gjëra të mira për filmin, kështu që jam i sigurt që do të jetë emocionues,” shtoi ai.

Ndërkohë, piloti tjetër i Formula 1, Pierre Gasly, që garon për skuadrën Alpine, e inkurajoi Verstappen-in ta shikojë filmin gjatë një konference të fundit për shtyp.
“Thjesht desha t’i them Max-it: në një moment në film të tregojnë duke fituar garën, prandaj duhet patjetër ta shikosh. Do ta shijosh me siguri!” tha ai, duke iu referuar fitimit të kampionatit botëror nga Verstappen.
“Personalisht, mua më pëlqeu shumë, shumë. Mendoj se kemi dhënë tashmë shumë komente rreth filmit, prandaj nuk dua të zgjatem më tepër. Por është shumë i bukur dhe mezi pres të shoh çfarë do të mendojnë njerëzit për të.”