Mund të prekë 1 në 100 pacientë
Medikamente si Mounjaro, Ozempic dhe Wegovy po lidhen me një gjendje të rrezikshme: inflamacion të pankreasit.
Sipas të dhënave të reja nga Agjencia Rregullative për Barnat dhe Pajisjet Shëndetësore në Britani (MHRA), këto ilaçe për humbje peshe mund të shkaktojnë efekte anësore të rënda që në disa raste mund të çojnë në vdekje.
Ka pasur 181 raste të pankreatitit akut ose kronik dhe pesë vdekje të lidhura me përdorimin e Mounjaro-s, ndërsa Ozempic dhe Wegovy janë lidhur me një vdekje dhe 113 raste të pankreatitit, sipas Sky News.
Këto ilaçe, të njohura si medikamente GLP-1, aktualisht nuk kanë prova të drejtpërdrejta që i lidhin përfundimisht me këto raste vdekjeje, ndaj MHRA nuk mund të vendosë kufizime ndaj tyre.
Pankreatiti – simptomat përfshijnë temperaturë, të përziera dhe dhimbje të forta barku – mund të ndodhë edhe tek persona që nuk përdorin ilaçe GLP-1, me një shfaqje mesatare prej 560 raste për çdo 1 milion njerëz.
Shefi shkencor i Genomics England, profesori Matt Brown, deklaroi:
“Barnat GLP-1 si Ozempic dhe Wegovy kanë qenë në qendër të vëmendjes, por ashtu si të gjitha barnat, edhe ato mund të shkaktojnë efekte anësore serioze.
Ne besojmë se ekziston një potencial i vërtetë për t’i minimizuar këto rreziqe, pasi shumë prej reagimeve të padëshiruara mund të kenë shkak gjenetik.
Ky hap i radhës në bashkëpunimin tonë me MHRA-n do të na ndihmojë të gjenerojmë të dhëna dhe prova që mundësojnë trajtime më të sigurta dhe më efektive, përmes qasjeve më të personalizuara në përshkrimin e barnave.”
Ndërsa këto statistika po bëhen lajme, prodhuesi i Mounjaro-s në Mbretërinë e Bashkuar, kompania Lilly, deklaroi se “prioriteti i tyre kryesor” është siguria e pacientëve.
Fletëudhëzimi që shoqëron Mounjaro-n deklaron se “inflamacioni i pankreasit (pankreatiti akut) është një efekt anësor i rrallë (që mund të prekë deri në 1 në 100 persona).”
Kompania Lilly këshillon pacientët që të konsultohen me mjekun apo profesionistët e kujdesit shëndetësor përpara përdorimit të Mounjaro-s, nëse ndonjëherë kanë pasur pankreatit.
Ndërkohë, Novo Nordisk UK, prodhuesi i Wegovy dhe Ozempic, shtoi:
“Ashtu si çdo ilaç tjetër, edhe këto barna mund të shkaktojnë efekte anësore, të cilat ndryshojnë nga pacienti në pacient. Rreziqet dhe përfitimet e njohura të barnave GLP-1 janë të përshkruara në Përmbledhjen e Karakteristikave të Produktit. Ne rekomandojmë që pacientët t’i marrin këto barna vetëm për qëllimet e miratuara dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të një profesionisti të kujdesit shëndetësor, i cili mund të këshillojë edhe për efektet e mundshme anësore.”