Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale ka arritur ritme marramendëse vitet e fundit, duke prekur gjithnjë e më shumë fusha që dikur konsideroheshin ekskluzivisht njerëzore. Tashmë, edhe profesione si terapia e masazhit po përjetojnë ndërhyrjen e teknologjisë.

Kompania amerikane “Aescape”, e themeluar nga sipërmarrësi Eric Litman, ka prezantuar masazhin e parë në botë të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, duke tërhequr interes ndërkombëtar.

Përmes robotëve të specializuar, kompania ofron një përvojë të personalizuar masazhi që nuk kërkon ndërhyrje njerëzore.

Përpara se të nisë seanca, klientët veshin një kostum të veçantë që u mundëson krahëve robotikë të lëvizin lirshëm mbi trup. Pajisja përdor sensorë të avancuar që hartëzojnë mbi një milion pika të dhënash 3D të trupit, duke i lejuar sistemit të aplikojë shtatë teknika të ndryshme masazhi me presion dhe temperaturë të përshtatur sipas nevojës.

Ky inovacion shënon një hap të ri në automatizimin e shërbimeve mirëqenies dhe tregon se Inteligjenca Artificiale po depërton gjithnjë e më thellë në profesione që dikur konsideroheshin të paprekshme nga teknologjia.
