Një aplikacion i ri për këshilla mbi takimet, i quajtur “Tea Dating Advice”, është kthyer në një nga më të shkarkuarit në SHBA, duke tërhequr miliona gra brenda pak kohësh. Sipas të dhënave nga SensorTower, “Tea”është aktualisht aplikacioni falas më i popullarizuar në App Store dhe ka fituar afro një milion përdorues të rinj vetëm javët e fundit.

Aktualisht, komuniteti i tij numëron mbi katër milionë gra.
I krijuar vetëm për gra, aplikacioni lejon përdorueset të postojnë në mënyrë anonime përvojat e tyre me burrat me të cilët po takohen.
Për më tepër, “Tea” ofron mjete për kërkimin e numrave të telefonit për të zbuluar martesa të fshehura apo të dhëna penale, duke synuar që gratë të ndihen më të sigurta në botën e takimeve.

Megjithatë, suksesi i “Tea” nuk ka kaluar pa kritika. Aplikacioni është akuzuar për qasje “anti-burra”, përhapje dezinformimi dhe rrjedhje të të dhënave, pasi u raportua se rreth 13,000 foto përdoruesish janë shpërndarë pa leje. Disa e kanë cilësuar si një platformë që turpëron burrat.
Aplikacioni është krijuar në vitin 2023 nga Sean Cook, një ekzekutiv teknologjik nga Kalifornia, i cili tha se u frymëzua nga përvoja personale e nënës së tij, e mashtruar nga burra me të kaluar kriminale.
Regjistrimi në “Tea” është i kufizuar vetëm për gra, të cilat duhet të verifikojnë identitetin përmes një fotoje dhe dokumenti zyrtar. Pas miratimit nga moderatorët, ato mund të lënë komente mbi burrat që takojnë, duke i vlerësuar si “flamur të kuq” apo “flamur të gjelbër”.
Si kundërpërgjigje, është lançuar një version i ngjashëm vetëm për meshkuj me emrin “Cheeky”, që ofron hapësira anonime diskutimi për burrat.
Megjithëse “Te synon të rrisë sigurinë e grave në takime, ndarjet janë të forta mes atyre që e shohin si një mjet të nevojshëm dhe atyre që e akuzojnë për gjykime të njëanshme e rrezik për privatësinë.