Një studim i fundit ka hedhur dritë mbi një nga aspektet më të dhimbshme të demencës frontotemporale (FTD): humbjen e aftësisë për të ndier dhe shprehur empati. Ndryshe nga format e tjera të demencës, si Alzheimeri, FTD prek veçanërisht sjelljen, personalitetin dhe gjuhën, duke e bërë këtë sëmundje të vështirë për t’u njohur dhe kuptuar.
Sipas studimit të kryer nga Instituti Karolinska, Universiteti i Lundit dhe Universiteti i Umeas në Suedi, pacientët me FTD tregojnë reduktim të ndjeshëm të aktivitetit në zonat e trurit që janë përgjegjëse për reagimin emocional ndaj ndjesive të të tjerëve – pra për empatinë.
Kjo shpjegon pse shumë prej tyre nuk janë më në gjendje të reagojnë emocionalisht, të ndiejnë dhe të shprehin dashuri apo ndjeshmëri, edhe ndaj personave më të afërt.
Gjatë eksperimentit, 28 pacientë me FTD dhe 28 persona të shëndetshëm u përfshinë në një test me rezonancë magnetike funksionale (fMRI). Ata panë imazhe të duarve që merrnin një stimul të dhimbshëm ose neutral, ndërsa shkencëtarët matën reagimin e trurit.
Tek personat e shëndetshëm, zonat si insula anteriore, korteksi cingulate anterior dhe talamusi ishin shumë aktive, siç pritej. Por pacientët me FTD shfaqën aktivitet të dobët në këto zona.
Ky reduktim i aktivitetit lidhet drejtpërdrejt me sjelljen e përditshme. Sa më pak empati që tregonin pacientët sipas raportimeve të familjarëve, aq më pak aktive ishin zonat e trurit të përfshira në përpunimin emocional.
Demenca frontotemporale mbetet një sëmundje enigmatike me shkak ende të paqartë. Rreth 30% e rasteve kanë një bazë gjenetike, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pashpjeguar.
Aktualisht nuk ka një kurë, por raste të profilit të lartë si ato të aktorit Bruce Willis dhe prezantueses Wendy Williams kanë sjellë një rritje të ndërgjegjësimit publik dhe të interesit shkencor për këtë sëmundje.
Sipas ekspertëve, gjetjet e reja mund të ndihmojnë në diagnostikimin më të hershëm të FTD-së dhe hapin rrugën për zhvillimin e trajtimeve që synojnë të ruajnë funksionin emocional dhe lidhjen humane tek pacientët.