Një video që po bën xhiron e rrjeteve sociale ka emocionuar publikun shqiptar dhe më gjerë: futbollisti i njohur francez, Benjamin Pavard, është filmuar duke vallëzuar me plis në kokë gjatë dasmës së tij me modelen shqiptare Kleofina Pnishi.

Ceremonia romantike u zhvillua buzë detit, në bregun piktoresk të Amalfit në Itali, ku çifti kurorëzoi dashurinë mes familjarëve dhe miqve të afërt.
Atmosfera e mbrëmjes u ngjyros nga elementë të kulturës shqiptare, që u përfshinë në festë përmes muzikës dhe traditave të veçanta.
Në një nga momentet më të komentuara, Pavard shihet teksa kërcen i buzëqeshur nën tingujt e muzikës shqiptare, duke mbajtur mbi kokë një plis të bardhë – simbol i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ky gjest i tij është pritur me shumë simpati nga ndjekësit në rrjetet sociale, të cilët e kanë vlerësuar si një shenjë respekti për origjinën e bashkëshortes së tij. Shumë prej tyre e kanë përshëndetur futbollistin duke e quajtur “dhëndri shqiptar”.
Përmes një detaji të thjeshtë, por domethënës, Benjamin Pavard ka fituar zemrat e publikut, duke treguar se dashuria shkon përtej kulturave dhe kombësive.