Shkencëtarët nga Universiteti Teknik i Vjenës dhe Universiteti i njohur amerikan Harvard kanë zhvilluar një lloj të ri lazeri që mund të ndryshojë mënyrën e përdorimit të dritës infra të kuqe nga mjekësia deri te industria e gazit. Ndryshe nga pajisjet e mëparshme, ky lazer i ri është jashtëzakonisht i thjeshtë, nuk ka pjesë lëvizëse, mund të përshtatet në një çip të vogël dhe fuqia si dhe “ngjyra” e tij mund të rregullohen me shumë saktësi.
Në zemër të këtij shpikjeje qëndron një dizajn i zgjuar; pjesë të vogla në formë unazash të ndërtuara nga materiale të veçanta të quajtura gjysmëpërçues. Çdo unazë “prodhon” një lloj tjetër të dritës infra të kuqe. Duke rritur ose ulur rrymën elektrike, shkencëtarët mund të zgjedhin se cilën unazë të aktivizojnë, pra cilën “ngjyrë” të dritës infra të kuqe do të lëshojë laseri.
“Në të kaluarën, pajisjet precize me laser kishin nevojë për pjesë lëvizëse për të ndryshuar ngjyrën e dritës, gjë që i bënte ato komplekse, të shtrenjta dhe të ndjeshme. Tani e arrijmë këtë pa asnjë pjesë lëvizëse”-thotë profesori Benedikt Schwarz nga Universiteti Teknik i Vjenës.
Ky lloj lazeri ka potencial të madh për përdorime të gjera. Në mjekësi mund të përdoret për diagnozë të saktë, ku matja precize është shumë e rëndësishme. Në fushën e sigurisë, ai mundëson zbulimin e gazrave dhe substancave të tjera të rrezikshme veçanërisht e rëndësishme për industrinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, në telekomunikacion ofron burim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të dritës, gjë që është thelbësore për transmetimin e shpejtë të të dhënave.
“Falë këtij dizajni, laseri është shumë i qëndrueshëm, edhe kur përdoret në mjedise me pluhur ose me kushte të paqëndrueshme, nuk e humbet saktësinë”-shpjegon doktorandi Johannes Fuchsberger.