Pas zyrtarizimit të divorcit me Chiara Ferragni, Fedez po shijon verën në shoqërinë e partneres së re, stilistes Giulia Honegger. Dyshja u fotografuan së fundmi në Sardenjë, duke shfaqur hapur romancën e tyre gjatë një udhëtimi me varkë në arkipelagun Maddalena.
Në fotot e publikuara nga revista italiane “Chi”, Fedez dhe Giulia duken të përqafuar dhe të afërt në plazhin Mortorio, ku nuk munguan as puthjet nën rrezet e diellit dhe syrit të paparacëve.

Sipas të njëjtës revistë, që nga fillimi i verës, reperi ka kërkuar që Giulia ta shoqërojë në çdo hap — qoftë për angazhime pune apo pushime.
Kjo nuk është hera e parë që ata shfaqen së bashku në publik. Më herët, janë parë në Milano dhe më pas në Marina di Pietrasanta, por duket se tani lidhja është bërë edhe më serioze.
Giulia Honegger është një emër i ri në botën e modës dhe jeton në Milano. E konsideruar si një vajzë e bukur, ambicioze dhe e vendosur, mbetet për t’u parë nëse historia e saj me Fedez do të zgjasë përtej stinës së verës.
Ndërkohë, martesa mes Fedez dhe Chiara Ferragni është përmbyllur ligjërisht. Të hënën, Gjykata e Milanos miratoi divorcin, me një marrëveshje që parashikon kujdestari të përbashkët për dy fëmijët e çiftit, Leone dhe Vittoria.
Nuk është vendosur asnjë detyrim financiar ndaj Ferragnit, por Fedez do të mbulojë të gjitha shpenzimet shkollore dhe mjekësore të fëmijëve.
Romanca e re e reperit duket se ka filluar me intensitet, ndërsa ai nis një kapitull të ri në jetën personale.