Të ngasësh makinën RUF CTR Yellowbird, një makinë që mund të arrijë shpejtësinë 343 km/orë, është gjithmonë një përvojë emocionuese. Por për një shofer shpërndarjeje, kjo u shndërrua në makthin e tij më të keq.
Ai u bllokua brenda makinës pothuajse vertikale të bazuar në Porsche 911, pasi makina klasike e rrallë ra nga rimorkioja e një kamioni. Aksidenti thuhet se ndodhi në San Francisko kur makina e rrallë CTR e viteve të 80-ta po kthehej nga një udhëtim i përkohshëm në selinë e RUF në Gjermani, ku po i nënshtrohej riparimeve.
Makina ra nga niveli i sipërm i rimorkios së kamionit, duke rënë pjesërisht nga një rampë që ishte ngritur në një lartësi prej rreth 2.5 metrash. “Isha ulur me një mik kur ai mori një telefonatë se makina e klientit të tij, një RUF Yellowbird kishte rënë nga rimorkioja e saj”-shkroi përdoruesi @johnclaywolfeshow, i cili shpjegoi aksidentin.
“Djali e kishte dërguar makinën përsëri në Gjermani (te Rufi) për ta lyer me të zezë dhe e kishte çuar përsëri në shtëpinë e tij në San Francisko dhe shoferi harroi të bllokonte rrotat, dhe kjo është ajo që ndodhi”-shtoi ai.
Rufi ndërtoi më pak se 30 njësi të CTR-së, bazuar në Porsche 911 G-series dhe sot makinat vlejnë midis 4 dhe 6 milionë dollarëve; njëra u shit këtë pranverë për deri në 6.06 milionë dollarë. Ekipi i Alois Rufit përdori një karroceri Carrera me krahë të ngushtë për aerodinamikë më të mirë dhe më pak peshë se Turbo më i gjerë dhe ata instaluan një Boxer 3.4 litra me 469 kf në ndarjen e motorit.
CTR-së iu vu nofka “Zogu i Verdhë” sipas ngjyrës së një makine të testuar nga revista amerikane Road & Track në vitin 1987, e cila arriti një shpejtësi prej 340 km/orë, megjithëse jo të gjitha makinat ishin të verdha. Vitin pasardhës, revista gjermane Auto Motor und Sport mati një shpejtësi edhe më të lartë; 343 km/orë!