Në shikim të parë duken si instalacione arti apo produkte të fantazisë, por në fakt janë fruta të vërteta. Bëhet fjalë për shalqinjtë në formë kubi, një nga produktet më të veçanta që vijnë nga Japonia.
Këta shalqinj, megjithëse të pazakontë në pamje, janë tërësisht natyralë dhe të ngrënshëm, edhe pse rrallë konsumohen. Ato janë kthyer në një prej eksporteve më të famshme të frutave nga Japonia dhe një sensacion në internet për pamjen e tyre mbresëlënëse.
Si lindi ideja?
Forma katrore e shalqinjve nuk është rezultat i ndonjë manipulimi gjenetik, por një shpikje praktike nga fermerët japonezë në vitet 1970.
Duke u përballur me vështirësi në transportin dhe ruajtjen e shalqinjve të rrumbullakët, ata vendosën të kultivonin frutat brenda kallëpeve plastike katrore. Ndërsa shalqiri rritet, merr formën e kallëpit pa asnjë ndërhyrje kimike.
Megjithatë, për shkak se këta shalqinj mblidhen pa qenë plotësisht të pjekur, ata shpesh janë të fortë dhe pa shijen e ëmbël karakteristike.

Prandaj, ata përdoren më shumë si objekte dekorative apo dhurata luksoze, sesa si fruta për konsum ditor.
Në Japoni, shalqinjtë katrorë shiten kryesisht si dekorata apo suvenire luksoze. Ato paketohen në kuti të veçanta dhe përdoren shpesh si dhurata për raste të veçanta apo për qëllime biznesi.
Çmimi i një shalqiri të tillë mund të kalojë edhe 100 euro, varësisht nga sezoni dhe rajoni ku është prodhuar.
Por inovacioni nuk ndalet këtu – fermerët japonezë kanë krijuar gjithashtu shalqinj në formë zemrash, piramidash apo edhe kafkash, duke përdorur po të njëjtin parim të kallëpeve me forma të ndryshme.

Megjithatë, duhet theksuar se këto fruta nuk janë të destinuara për të kënaqur shijen – shumica e tyre nuk janë të ëmbla apo të lëngshme si shalqinjtë tradicionalë. Ato janë një mrekulli vizuale, por një zhgënjim kur vjen puna te shija.