Megan Kerrigan Byron, bashkëshortja e ish-drejtuesit të kompanisë teknologjike “Astronomer”, Andy Byron, ka marrë një vendim të papritur pas publikimit të një skandali që përfshiu bashkëshortin e saj.
Ajo është larguar nga vila luksoze në Northborough, Massachusetts – një pronë me vlerë rreth 2.4 milionë dollarë – dhe është zhvendosur në Kennebunk, Maine, një zonë e qetë dhe e izoluar rreth 170 kilometra larg, me synimin për të shmangur vëmendjen publike dhe presionin mediatik.
Vendimi i saj vjen pas përhapjes së një videoje virale, ku Andy Byron shihej në një moment intim me Kristin Cabot, drejtoreshën e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, gjatë një koncerti të grupit Coldplay.
Pamjet u kapën nga kamerat e skenës dhe u shfaqën në ekranin gjigant të koncertit, duke u bërë virale në rrjete sociale me mbi 125 milionë shikime.
Ndërsa Megan nuk ka bërë asnjë deklaratë publike, veprimet e saj në rrjetet sociale flasin qartë: ajo ka hequr mbiemrin “Byron” nga profili i saj në Facebook dhe më pas ka çaktivizuar plotësisht llogarinë. Më parë, profili i saj ishte mbushur me foto familjare dhe kujtime nga jeta me dy djemtë që ka me ish-CEO-n.
Sipas burimeve të “Daily Mail”, Megan aktualisht është e rrethuar nga familja dhe mbështetja e saj më e madhe vjen nga motra, Maura.
Ndërkohë, kompania “Astronomer” ka reaguar menjëherë ndaj situatës, duke pranuar dorëheqjen e Andy Byron. Detyrën e drejtuesit të përkohshëm të kompanisë e ka marrë bashkëthemeluesi Pete DeJoy.
Skandali ka ngritur diskutime të shumta në rrjet për etikën në ambientet e punës dhe kufijtë mes jetës personale dhe asaj profesionale, ndërsa historia e Megan Kerrigan Byron mbetet një simbol i forcës përballë tradhtisë dhe ekspozimit publik.