Pas shumë muajsh ku kanë qarkulluar spekulime dhe lajme për krizë të mundshme në marrëdhënien e tyre, Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle Obama, vendosën të flasin hapur për martesën e tyre dhe për thashethemet që i kanë rrethuar kohët e fundit.
Ish-presidenti amerikan ishte i ftuar në podcast-in “IMO”, të cilin e prezanton Michelle bashkë me vëllain e saj, Craig Robinson. Dyshja nuk humbi kohë për të komentuar me sinqeritet dhe humor raportimet për një ndarje të mundshme.
“Po pra, ende e doni njëri-tjetrin?”, tha me shaka Robinson, duke nënkuptuar ironikisht fjalët që qarkullonin. Michelle qeshi dhe iu përgjigj:
“Ah po, thashethemet!”
Ish-Zonja e Parë tha gjithashtu se e pëlqen të jetë në të njëjtën hapësirë me burrin e saj, duke shtuar:
“Kur nuk jemi bashkë, të gjithë mendojnë se jemi ndarë.”

Michelle duke rrëfyer me emocion për martesën e tyre që zgjat tashmë pothuajse 33 vite shtoi se:
“Nuk ka pasur kurrë një moment që të kem menduar ta lë burrin tim. Kemi kaluar kohë shumë të vështira, por edhe shumë të bukura. Kemi përjetuar aventura, kemi qeshur pafund. Unë jam bërë njeri më i mirë falë këtij burri.”
Nga ana e tij, Barack pranoi se shpesh nuk është në dijeni të thashethemeve që qarkullojnë për ta, dhe se shpesh ndjen habi kur ia përmend dikush:
“Unë as nuk i marr vesh. Kur vjen dikush dhe më thotë diçka, mbetem pa fjalë.”
Çifti Obama është martuar që nga viti 1992 dhe kanë dy vajza: Malia, 26 vjeç, dhe Sasha, 24. Thashethemet për një krizë martesore u shtuan muajt e fundit, sidomos pas mungesës së Michelle në disa ngjarje të rëndësishme, si funerali i Jimmy Carter dhe ceremonia e betimit të Donald Trump, për të cilat ajo theksoi se kishte arsye personale që nuk kishte marrë pjesë.