Rrjeti televiziv amerikan CBS ka bërë të ditur se do të përfundojë emisionin e njohur “The Late Show me Stephen Colbert” në maj të vitit 2026, duke përmendur arsye financiare dhe ndryshime strategjike në industrinë mediatike.
Lajmin e mori fillimisht vetë Stephen Colbert më 16 korrik, ndërsa të nesërmen e ndau me publikun në studion e emisionit të tij.
Nuk është vetëm fundi i shfaqjes sonë, është fundi i ‘The Late Show’ në CBS. Unë nuk do të zëvendësohem. E gjithë kjo thjesht do të zhduket
-deklaroi Colbert.
Vendimi për t’i dhënë fund një prej emisioneve më të ndjekura të natës vjen në një kohë kur emisionet e bisedave “late-night” po përballen me rënie të ndjeshme të audiencës. Programet si “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon” dhe “Late Night with Seth Meyers” tashmë transmetohen vetëm katër herë në javë, ndërsa CBS nuk zëvendësoi më “Late Late Show” pas largimit të James Corden në vitin 2023 – një tregues i qartë i ndryshimeve në prioritetet e rrjeteve televizive për shkak të kostove të larta të prodhimit.
Stephen Colbert, i cili mori drejtimin e “The Late Show” në vitin 2015, u shqua gjatë viteve të tij në ekran si një ndër kritikët më të fortë të ish-presidentit Donald Trump në televizionin amerikan.
Ky zhvillim përkon me negociatat për bashkimin mes Paramount, kompania mëmë e CBS, dhe Skydance Media. Gjatë kësaj periudhe të ndjeshme, Paramount ka rënë dakord të paguajë 16 milionë dollarë për të mbyllur një proces gjyqësor me Donald Trump lidhur me montazhin e një interviste në emisionin “60 Minutes” – një padi që, sipas shumë ekspertëve ligjorë, nuk kishte bazë të fortë, por që u përdor si mjet presioni për të vonuar shitjen e kompanisë.
Me largimin e Colbert dhe përfundimin e “The Late Show”, mbyllet një kapitull i rëndësishëm në televizionin amerikan të natës, duke ngritur pyetje serioze mbi të ardhmen e këtij formati në një peizazh mediatik gjithnjë e më të dominuar nga platformat digjitale.