Microsoft është përballur me një tronditje të madhe në sektorin e video-lojërave, pas një vale shkarkimesh që përfshiu fillimin e këtij muaji. Situata më alarmante është ajo në studion King, zhvilluesin e njohur të lojës “Candy Crush”, ku punonjësit po zëvendësohen nga mjetet e inteligjencës artificiale (AI) – pikërisht teknologjia që ata vetë kanë ndihmuar të ndërtojnë dhe trajnojnë.
Sipas raportimeve të brendshme, dhjetëra punonjës në departamente të ndryshme të King – përfshirë tregimin, përvojën e përdoruesit (UX), dizajnin e niveleve dhe kërkimet – janë informuar se vendet e tyre të punës janë në rrezik.
Ekipi i tekstshkruesve po ashtu pritet të preket, ndërsa një grup i bazuar në Londër që punon për lojën “Farm Heroes Saga” do të përgjysmohet.
Është tronditëse të shohësh që AI po zëvendëson njerëzit. Kompania është fitimprurëse, por po i redukton kostot duke shkarkuar zhvilluesit, kur në fakt na duhen më shumë punonjës, jo më pak
-tha një burim anonim për “MobileGamer”.
Ky burim vlerëson se numri i përgjithshëm i shkarkimeve në të gjithë divizionin e lojërave të Microsoft mund të kalojë 200 persona, shifër që përputhet edhe me raportimin e “Bloomberg”.
Ndikimi i këtyre shkarkimeve ndihet në disa nga studiot më të rëndësishme të Microsoft. Punonjës të studios “Halo” kanë shprehur pakënaqësi të thellë ndaj vendimeve të fundit. Sipas burimeve, të paktën pesë punonjës u larguan nga puna menjëherë pas një emaili që dërgoi drejtori i Microsoft Gaming, Phil Spencer, në të cilin festohej fitimprurësia aktuale e Xbox-it.
Po ashtu, burimet raportojnë se Microsoft po intensifikon përpjekjet për të zëvendësuar sa më shumë pozicione me agjentë të inteligjencës artificiale, përfshirë edhe promovimin agresiv të përdorimit të Copilot-it në vendin e punës.
Ndërsa teknologjia vazhdon të evoluojë me ritme të shpejta, ky rast nxit debatet për balancën mes përfitimeve të AI-së dhe ruajtjes së vendeve të punës njerëzore në industrinë e teknologjisë.