Në kërkim të një alternative natyrale ndaj ilaçit të njohur për humbje peshe, Ozempic, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë nxitur një trend të ri ushqimor që po fiton popullaritet të madh: përzierja me bazë tërshëre, e quajtur tashmë “Tërshërë-Zempik”.

Sipas “Daily Mail”, përdorues të shumtë në TikTok po ndajnë eksperiencat e tyre me këtë koktej të thjeshtë, i cili përmban tërshërë, ujë, kanellë dhe lëng limoni.
Ata pretendojnë se kjo përzierje ndihmon në shtypjen e urisë dhe rënien në peshë në mënyrë të ngjashme me efektet e Ozempic.

Përdoruesi ‘Fred\_ddy92’ raportoi se kishte humbur 4.5 kilogramë për 21 ditë duke konsumuar koktejin çdo ditë. Ndërkohë, ‘anna.2490’ pretendon se ka humbur 5 kilogramë brenda një jave, duke e konsumuar përzierjen dy herë në ditë.
Një tjetër përdoruese, ‘TastyCara’, deklaroi se humbi 4.5 kilogramë brenda pesë ditësh duke kombinuar koktejin me kufizimin e ushqimit.
Receta thuhet se funksionon si zëvendësues vakti, dhe shumë nga ata që e ndjekin trendin shmangin ngrënien e vakteve të tjera gjatë ditës, duke shtuar vetëm ushqime të lehta nëse ndihen të uritur.

Megjithatë, pavarësisht popullaritetit në rritje të “Tërshërë-Zempikut”, dietologët shprehen skeptikë. Sipas tyre, megjithëse përbërësit janë të shëndetshëm, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që kjo përzierje të ketë efektet afatgjata apo të krahasueshme me një ilaç të certifikuar si Ozempic.
Ekspertët paralajmërojnë se humbja e shpejtë në peshë mund të mos jetë e qëndrueshme dhe sugjerojnë gjithmonë një qasje të balancuar dhe të mbikëqyrur profesionalisht për menaxhimin e peshës.