Çanta ikonë që u krijua posaçërisht për aktoren dhe këngëtaren Jane Birkin është shitur në një ankand në Paris për një shumë rekord prej 8.6 milionë eurosh (rreth 10 milionë dollarë amerikanë), duke u bërë një nga aksesorët më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në historinë e modës.
Pas ditësh spekulimesh rreth identitetit të blerësit, është zbuluar se çanta ka kaluar në duart e Shinsuke Sakimoto, një miliarder japonez, ish-futbollist dhe aktualisht CEO i kompanisë Valuence Japan Inc., e specializuar në shitjen dhe rishitjen e produkteve luksoze.

Sipas mediave ndërkombëtare, kjo blerje nuk është bërë me synim rishitjen apo fitimin komercial. Sakimoto e ka cilësuar çantën si një “trashëgimi kulturore”, duke theksuar se ajo do të ruhet për të nderuar figurën e Jane Birkin dhe ndikimin e saj në botën e modës.
Ai njoftoi se pas mbërritjes së çantës në Japoni, do të organizohet një prezantim për mediat dhe një ekspozitë publike që do të shpallë së shpejti.
Çanta “Birkin” u krijua në vitin 1984 pas një takimi të rastësishëm mes Jane Birkin dhe drejtuesit të Hermès, Jean-Louis Dumas, gjatë një fluturimi. Birkin, e cila në atë kohë ishte një nënë e re, i kishte shprehur Dumas-it mungesën e një çante të madhe, funksionale dhe me stil.
Kjo frymëzoi dizajnin e parë të çantës Birkin, e cila më pas u shndërrua në një simbol të luksit botëror.
Versioni origjinal i çantës që i përkiste vetë Jane Birkin mban ende inicialet “J.B.”, duke e bërë atë një relike unike të historisë së modës.
Blerja nga Sakimoto ka ngjallur interes të madh global, jo vetëm për vlerën e saj financiare, por edhe për rëndësinë kulturore që përfaqëson.