Shtëpia e njohur e ankandeve Sotheby’s ka hapur një ankand të rrallë për një pjesë historike të teknologjisë moderne – një nga 50 kompjuterët e parë Apple-1, të montuar me dorë në garazhin e prindërve të Steve Jobs në vitin 1976.
Ky model i veçantë, i njohur si “Romkey Apple-1”, është cilësuar nga ekspertët si ekzemplari më i mirë i ruajtur dhe plotësisht funksional në botë.

Ai është pjesë e serisë së parë të prodhuar nga kompania e sapokrijuar Apple Computer dhe pritet të arrijë një çmim prej 400 deri në 600 mijë dollarë.
Kompjuteri u dizajnua nga Steve Wozniak dhe u montua me dorë nga vetë Jobs dhe Wozniak, në kohën kur kompjuterët personalë ishin ende një koncept i ri. Në një epokë kur shumica e pajisjeve të ngjashme përdoreshin nga njerëzit e apasionuar përmes dritave LED dhe çelësave mekanikë, Apple-1 solli një revolucion duke përdorur tastierën dhe një televizor si ekran, çka e bëri të qasshëm për publikun më të gjerë.

Ekzemplari në fjalë ka një histori interesante: pas një përdorimi minimal, ai u shkëmbye në vitin 1981 nga pronari i parë me një kompjuter të ri NCR.
Pajisja përfundoi në duart e Tom Romkey, një teknik i certifikuar i Apple dhe pronar i një dyqani elektronik në Florida. Romkey e ruajti kompjuterin për më shumë se 40 vjet, pa asnjë dëmtim apo modifikim.
Ekspertët theksojnë se ky Apple-1 është një nga modelet e hershme, pa logon me monogram diamanti dhe me numër serial të shkruar me dorë – një tipar që i rrit vlerën në mesin e koleksionistëve.

Këta kompjuterë u shitën fillimisht nga dyqani Byte Shop, që ishte klienti i parë me shumicë i Apple.
Ankandi online, që është pjesë e edicionit “Geek Week: History of Science & Technology”, do të mbyllet më 17 korrik. Aktualisht, oferta më e lartë ka arritur në 350 mijë dollarë, por pritet që çmimi final të tejkalojë çdo parashikim, duke reflektuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij objekti në historinë e teknologjisë.