Volkswagen po përgatitet për një hap që pritet të bëjë bujë në botën e automobilizmit. SUV-i i tyre elektrik i njohur, ID.4, vitin e ardhshëm do të pësojë një transformim kaq të thellë, sa do të duket më shumë si një gjeneratë e re sesa si një ridizajnim klasik. Qëllimi është i qartë – të ruhet pozita e fortë në shitje dhe të pozicionohet më qartë si “vëllai elektrik” i modelit popullor Tiguan, shkruan AutoCar.
I lançuar në vitin 2020, ID.4 u bë shpejt një nga makinat elektrike më të njohura në botë. Së shpejti hyn në vitin e pestë në treg si një konkurrent kyç ndaj modeleve si Toyota bZ4X dhe Tesla Model Y. Aktualisht, sipas të dhënave të Jato Dynamics, është makina e katërt më e shitur elektrike në Evropë, çka e bën thelbësore për strategjinë e elektrifikimit të Volkswagenit.
Më shumë se një ridizajnim: “Një makinë krejtësisht e re”
CEO i Volkswagenit, Thomas Schäfer, nuk e fsheh entuziazmin e tij dhe paralajmëron ndryshime drastike që tejkalojnë një “facelift” të zakonshëm. “ID.4 i ri për vitin 2026 do të jetë vërtet i mrekullueshëm,” deklaroi ai, duke treguar përmasën e ndryshimeve: “Do ta riprojektojmë plotësisht nga brenda dhe jashtë. Do të jetë një makinë krejtësisht ndryshe – një hap gjigant përpara.”
Prioriteti kryesor është që ID.4 të harmonizohet vizualisht me modelet e ardhshme si ID.1 për qytet dhe supermini ID.2. “E pamë të domosdoshme që të përshtatet me gjuhën e re të dizajnit, sepse ende mbetet modeli ynë elektrik më i rëndësishëm për nga shitjet,” shpjegoi Schäfer, duke shtuar: “Duam të mbetemi konkurrues, ndaj në thelb po krijojmë një model të ri.”
Tiguan elektrik në formim?
Sipas Autocar, burime të brendshme në Volkswagen tashmë e quajnë modelin e ri ID.4 “Tiguanin elektrik”. Me këtë nënkuptohet strategjia për ta pozicionuar më qartë këtë SUV elektrik dhe Tiguani-n me motorë klasikë si modele të afërta në segmente të ndryshme të teknologjisë së lëvizjes.

Edhe pse kompania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndryshimin e emrit, Schäfer më herët ka lënë të kuptohet se emri Tiguan, ashtu si edhe Golf, do të vazhdojë të ketë vend në ofertën e Volkswagen-it edhe kur gama të jetë plotësisht elektrike.
“Vendosëm të mos heqim dorë nga emrat tradicionalë dhe të suksesshëm, në të cilët kemi investuar për kaq gjatë. Pse do të duhej t’i braktisnim?” – deklaroi ai.
Revolucion në brendësi
Ndryshime të mëdha po vijnë edhe në pjesën e brendshme të kabinës. Shefi i zhvillimit teknik të Volkswagen-it, Kai Grünitz, ka konfirmuar se ID.3 dhe ID.4 të ridizajnuar do të marrin një panel komandimi krejtësisht të ri dhe një ndërfaqe përdoruesi të përmirësuar. Risi më e madhe është rikthimi i çelësave dhe butonave fizikë, në vend të kontrolleve me prekje dhe komandave të integruara në ekranin me touch – një lëvizje që u paralajmërua fillimisht me konceptin ID.2all.
“Do ta rikthejmë rrotën për kontrollin e volumit,” ka zbuluar një prej burimeve të brendshme. “Nëse ke zhvilluar diçka që funksionon, dhe ka funksionuar për vite me radhë, nuk ka arsye për ta ndryshuar.”
Teknologji të reja dhe fati i modelit ID.5
Edhe pse detajet teknike nuk janë zbuluar ende, pritet që modelet më të shitura elektrike të Volkswagen-it të përfitojnë nga përmirësime në efikasitet dhe performancë. Kjo do të përfshijë motorë elektrikë më të avancuar dhe teknologji më moderne të baterive dhe inverterëve, të huazuara nga modele më të reja si ID.7.
Nga ana tjetër, duket se versioni coupe-SUV, ID.5, nuk do të marrë të njëjtat përditësime. Në vend të një ridizajnimi, pritet që ai të hiqet nga prodhimi, për shkak të shitjeve dukshëm më të ulëta krahasuar me ID.4 standard.