SpaceX, kompania amerikane e teknologjisë hapësinore me qendër në Teksas, financoi 2 miliardë dollarë për “xAI”. Kjo si pjesë e një raundi investimesh prej 5 miliardë dollarësh, duke thelluar lidhjet mes sipërmarrjeve të miliarderit të teknologjisë Elon Musk, ndërsa startup-i i tij i Inteligjencës Artificiale garon për të konkurruar me rivalin “OpenAI”, raportoi “Wall Street Journal”.
Investimi vjen pas bashkimit të “xAI” me X dhe e vlerëson kompaninë e kombinuar në 113 miliardë dollarë, me chatbot-in “Grok” që tani fuqizon mbështetjen e “Starlink”-ut dhe synon integrimin e ardhshëm në robotët “Optimus” të Tesla-s.
Pavarësisht polemikave të fundit që kanë të bëjnë me përgjigjet e “Grok”, Musk e ka quajtur atë IA-në më të zgjuar në botë ndërsa “xAI” vazhdon të shpenzojë shumë për trajnimin e modeleve të reja dhe infrastrukturën.
Musk vijon me projektet e tij pas largimit nga administrata Trump. Në fillim të qershorit, presidenti tërhoqi nominimin e sipërmarrësit miliarder të teknologjisë, Jared Isaacman, si kreu i NASA-s “pas një shqyrtimi të plotë”. Me marrjen e detyrës në muajin janar, Trump propozoi Isaacman, një bashkëpunëtor i ngushtë i shefit të SpaceX, Elon Musk, për të pasuar Bill Nelsonin në krye të agjencisë hapësinore, i cili u largua në fund të presidencës së Joe Biden-it.
Musk u përgjigj në platformën e tij të mediave sociale X se “kjo është e tmerrshme. Nuk mund të mendoj për një person më të mirë për këtë punë sesa Jared”. Vendimi i Trump-it i zuri vëzhguesit në befasi, pasi ai e kishte lavdëruar shumë Isaacman-in në dhjetor para se të merrte detyrën, duke shprehur besimin se ai do të “nxisë misionin e zbulimit dhe frymëzimit të NASA-s”.