Aktorja e njohur amerikane, Jennifer Aniston, ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen e saj të re me hipnotistin dhe trajnerin e jetës, Jim Curtis. Lajmi vjen pasi paparacët e “DailyMail” i kapën të dy në momente të afërta gjatë një pushimi romantik në një jaht luksoz në Mallorca.

Në fotografitë e publikuara, 56-vjeçarja, e njohur për rolin ikonik të Rachel Green në “Friends”, shihej e buzëqeshur pranë partnerit të saj, duke i prekur këmbën dhe ndarë përqafime e masazhe mes bisedash me miq të përbashkët.

Në një tjetër moment, ata dukeshin të përqendruar në ekranin e telefonit të saj, duke ndarë një çast intim dhe të qetë.

Burime të afërta me çiftin kanë pohuar për “DailyMail” se Jennifer ndihet shumë mirë në këtë marrëdhënie të re, por po e jeton me qetësi dhe pa ngutje.
Miqtë e saj janë shumë të lumtur për të dhe besojnë se Jim është njeriu i duhur. Ai është i përkushtuar ndaj zhvillimit personal dhe ndaj një jete të balancuar – gjëra që Jennifer i vlerëson shumë
-shprehet burimi.

Romanca e tyre nuk është krejt e papritur për ndjekësit më të vëmendshëm: Aniston ka ndjekur Curtisin në Instagram prej gati dy vitesh dhe ka ndërvepruar rregullisht me përmbajtjen e tij, veçanërisht me postime për shërimin e zemrës pas ndarjes dhe afirmimet pozitive.
Çifti raportohet gjithashtu se kanë kaluar kohë bashkë edhe në resortin luksoz Ventana Big Sur në Kaliforni gjatë qershorit, ku janë parë të përqafuar në një nga ambientet e restorantit.

Resorti është i njohur për eksperiencat e tij të mirëqenies shpirtërore – një tjetër lidhje mes filozofisë së Curtis dhe stilit të jetës që Jennifer ka përqafuar vitet e fundit.
Jim Curtis është autor i librit “Shift: Quantum Manifestation Guide” dhe njihet për metodën e tij të “hypno-realization” – një qasje e re terapeutike për shërimin emocional dhe krijimin e një realiteti më të dashur dhe të ndërgjegjshëm.

Jennifer, e cila më parë ka qenë e martuar me Brad Pitt dhe më pas me Justin Theroux, ka folur hapur për betejën e saj me infertilitetin dhe përpjekjet e pasuksesshme për të mbetur shtatzënë përmes IVF-së. Prandaj, ky kapitull i ri duket se ka sjellë një qetësi të shumëkërkuar në jetën e saj.
Ndërsa marrëdhënia e re me Curtis po zhvillohet me hapa të kujdesshëm, ajo ngjan e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, mirëkuptim dhe lidhje shpirtërore – duke i dhënë Anistonit mundësinë për të jetuar një dashuri më të pjekur dhe të qëndrueshme.