Alan Niven, ish-menaxheri i grupit legjendar Guns N’ Roses, ka zbuluar detaje të forta dhe shpesh tronditëse për periudhën e tij të trazuar me një nga bandat më të famshme dhe problematike të rock-ut.
Në librin e tij të ri “Sound N’ Fury: Rock N’ Roll Stories”, që publikohet më 5 gusht, ai sjell një rrëfim të sinqertë dhe pa filtra për botën kaotike që jetoi pranë grupit.

Niven tregon se fillimisht ishte hezitues për të marrë drejtimin e bandës, por një takim me Slash – të cilin e përshkruan si “të zgjuar, të artikuluar dhe jashtëzakonisht simpatik” – e bindi ta pranonte sfidën.
Pasi mori drejtimin, u përball menjëherë me kaosin që mbretëronte pas famës: gjarpërinj në dhoma gjumi, festa të çmendura me striptiste, tensione të brendshme dhe përdorim të pakontrolluar të drogës.

Një nga figurat më të ndërlikuara, sipas tij, ishte Axl Rose.
Fama nuk e ndryshoi Axlin – ajo thjesht përforcoi egon e tij të jashtëzakonshëm
-shkruan Niven, duke e cilësuar këngëtarin si një narcisist i vështirë për t’u menaxhuar.

Ai tregon se Axl e pushoi papritur nga pozicioni, ndërsa presioni nga shtëpia diskografike Geffen për të dorëzuar albumin tjetër, rriti më tej tensionin.
Në libër, Niven thekson se varësitë dhe sjelljet vetëshkatërruese të grupit kishin rrënjë në trauma të hershme familjare, dhe përdorimi i drogës ishte shpesh një mënyrë për të përballuar dhimbjet emocionale.

Me humor të zi dhe një sinqeritet të papërmbajtur, ish-menaxheri ndriçon prapaskenat e një epoke të egër të muzikës rock dhe ofron një pasqyrë të rrallë për jetën përtej dritave të skenës së Guns N’ Roses – një histori që nuk është thënë kurrë më parë në këtë formë.