Reperi i njohur shqiptar, Noizy, është liruar pas ndalimit të bujshëm nga autoritetet zvicerane, një ngjarje që u pasua me jehonë të madhe në media dhe rrjete sociale. Lajmin e ka bërë të ditur vetë artisti përmes një postimi në Instagram.

Në deklaratën e tij, Noizy shpjegon se nuk mundi të performonte në koncertin e parashikuar të shtunën mbrëma, për shkak të asaj që ai e cilëson si “një procedurë verifikimi të padrejtë” nga autoritetet.
Një keqkuptim i rëndë, i shkaktuar nga një shpifje e pastër, më përfshiu padrejtësisht në një procedurë verifikimi nga autoritetet zvicerane. Autori i kësaj shpifjeje do të përballet me pasojat ligjore, deri në dënimin maksimal që parashikon ligji zviceran.
Reperi nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e akuzave apo identitetin e personit që pretendon se e ka shpifur, por theksoi se do të ndjekë rrugën ligjore për të mbrojtur emrin e tij.

Lajmi për ndalimin e Noizyt në aeroportin e Zvicrës të shtunën shkaktoi reagime të shumta, ndërsa autoritetet vendase njoftuan se ndaj tij po kryheshin procedura të caktuara verifikimi për çështje ende të pazbuluara plotësisht.
Për momentin, ai është i lirë dhe pritet të japë më shumë shpjegime në ditët në vijim.