Jennifer Aniston, një nga aktoret më të dashura të Hollywood-it, duket se mund të jetë në një kapitull të ri të jetës së saj sentimentale. Sipas raportimeve të Page Six, Aniston po frekuentohet me Jim Curtis – një hipnotizues i njohur në rrjetet sociale, me mbi gjysmë milioni ndjekës në Instagram.

Dyshja janë parë së fundmi gjatë pushimeve në Mallorca, ku ndanin momente relaksi me mikun e ngushtë të Aniston, aktorin Jason Bateman, dhe bashkëshorten e tij Amanda Anka. Fotot e publikuara nga paparacët kanë ndezur menjëherë spekulimet për një lidhje të mundshme romantike.

Në një intervistë të dhënë në prill, Aniston kishte treguar se kishte filluar të eksperimentonte me hipnozën për të kapërcyer frikën e saj nga fluturimi, por pa përmendur nëse po punonte konkretisht me Curtis.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që të dy janë parë bashkë – sipas revistës “InStyle”, ata janë fotografuar më herët gjatë një qëndrimi në një hotel luksoz në Kaliforni, në qershor.

Jim Curtis nuk vjen nga bota e showbiz-it tradicional, por ka ndërtuar një profil të fortë si ekspert në shëndetin mendor dhe zhvillimin personal. Ndërkohë, lidhjet e kaluara të Jennifer Aniston janë gjithmonë në qendër të vëmendjes – ajo ka qenë e martuar me Brad Pitt (2000-2005) dhe më pas me Justin Theroux (2015-2018).
Ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga aktorja, fansat janë të entuziazmuar për mundësinë e një romance të re dhe ndoshta më të qetë për yllin e “The Morning Show”.