OnePlus sot ka prezantuar zyrtarisht gjeneratën e pestë të telefonave të saj Nord. Janë paraqitur dy modele; Nord 5 dhe Nord CE5, të cilët vazhdojnë të forcojnë reputacionin e kësaj serie si një zgjedhje shumë e mirë në kategorinë e mesme të çmimeve. Nord 5 ka një ekran AMOLED prej 6.83 inç me frekuencë rifreskimi prej 144Hz dhe ndriçim deri në 1.800 nits. Ekrani është i mbrojtur me Gorilla Glass 7i dhe përfshin një sensor optik për gjurmën e gishtit nën ekran.
Kamera për selfie është 50 MP (Samsung JN5) dhe ndodhet në një prerje të vogël në ekran. Në pjesën e pasme janë dy kamera; sensori kryesor 50 MP dhe një kamera ultra e gjerë 8 MP. Pajisja është e pajisur me çipin Snapdragon 8s Gen 3, me 8 ose 12 GB RAM dhe deri në 512 GB memorie të brendshme. Bateria ka kapacitet 6.800 mAh dhe mbështet karikim të shpejtë 80W, si dhe karikim të pajisjeve të tjera.
Nord 5 do të jetë në dispozicion në tre ngjyra; Marble Sands, Dry Ice dhe Phantom Grey, me çmim fillestar prej 449 euro. Nga ana tjetër, Nord CE5 nuk është aq “i fuqishëm”, por ofron një bateri mbresëlënëse prej 7.100 mAh, e rrallë për telefonët e sotëm. OnePlus pretendon se mund të zgjasë mbi 27 orë shikim në YouTube ose mbi 18 orë lundrim në Instagram.
Edhe ky model mbështet karikim të shpejtë 80W, si dhe ka funksionin bypass charging, që e mbron baterinë gjatë lojërave të gjata. CE5 ka një ekran AMOLED pak më të vogël prej 6.77 inç me rifreskim 120Hz dhe është i pajisur me çipin MediaTek Dimensity 8350. Vjen në versione me deri në 12 GB RAM dhe 256 GB hapësirë ruajtjeje, e cila mund të zgjerohet. Sistemi i kamerës është i ngjashëm me atë të Nord 5; një sensor kryesor prej 50 MP dhe një ultra e gjerë prej 8 MP.
Të dy telefonët vijnë me sistemin e ri OxygenOS 15 të bazuar në Android 15 dhe janë të pajisur me funksione të reja AI nga OnePlus, si AI Eraser, përmbledhje automatike e përmbajtjeve dhe përgjigje inteligjente, të cilat përdorin Google Gemini. Nord CE5 do të jetë i disponueshëm në ngjyrat; Black Infinity, Marble Mist dhe Nexus Blue, me çmim fillestar prej 299 euro. Shitja e të dy modeleve nis që sot.