Të ndërtosh një marrëdhënie të qëndrueshme sot nuk është e lehtë. Mungesa e kohës, pasiguritë dhe frika nga lëndimi emocional e bëjnë të vështirë krijimin e intimitetit të vërtetë. Kjo situatë bëhet edhe më e ndërlikuar kur më në fund ndiheni të lidhur me dikë, por që rezulton të jetë ish-i mikut apo mikeshës. Psikologia amerikane Michelle Cantrell, eksperte në këshillimin e çifteve, thekson se nuk ka përgjigje bardhë e zi. Një përgjigje e ndershme do të ishte: “Po, por është shumë e ndërlikuar.”
Hulumtimet tregojnë se njerëzit që e kuptojnë pse ka përfunduar një lidhje e përpunojnë më lehtë dhe e mbyllin më qetësisht atë kapitull. Nëse ndarja ka qenë pa dramë, një lidhje e re mund të jetë më e qartë. Por nëse ka pasur plagë të thella, rrezikoni të humbni më shumë sesa fitoni. Nëse besoni se kjo lidhje mund të ketë kuptim, sinqeriteti dhe respekti janë të domosdoshëm. Siç thekson Cantrell, nuk mjafton të ‘kërkoni leje’ nga miku apo mikja vetëm për sy e faqe, ndërkohë që vendimi tashmë është marrë. Pranoni çdo kufi që mund të vendosë personi tjetër edhe nëse thotë “jo”.
Ka raste kur lidhja me ish-in nuk është thjesht mungesë respekti, mund të hapë plagë të thella. Nëse ka pasur abuzim, manipulim ose dhimbje të mëdha emocionale, një lidhje e re mund të jetë e padurueshme për mikun/mikeshën tuaj. Sipas Cantrell, asnjë lidhje nuk ia vlen të lëndoni dikë që ju është i/e dashur. Si ta kuptoni nëse vlen rreziku? Pyeteni veten: Çfarë ju tërheq realisht tek ai/ajo? A është vetëm tërheqje fizike apo ndjeni diçka më të thellë? A jeni të gatshëm/gatshme të jetoni me pasojat? A është kjo vetëm kureshtje? Nëse po, pse pikërisht ish-i apo ish-ja e mikut/mikeshës?
Nëse vendosni të vazhdoni, Cantrell këshillon të flisni hapur para se të ndodhë diçka. Mos e mbani të fshehtë, mos e shtyni, një sekret mund të dëmtojë më shumë sesa vetë lidhja. Pritni reagime të forta, madje edhe një prishje të mundshme miqësie. Diskutoni kufijtë. A mund të takoheni të gjithë bashkë? A është në rregull që miku/mikja të dijë detaje? Çfarë nuk duhet të diskutohet?
Nëse e kuptoni që ndjenja nuk është aq e fortë, sqarojeni qartë me ish-in/ish-ën. Mos lini vend për keqkuptime. Mbani qëndrimin tuaj dhe shmangni situata të pakëndshme për të gjithë. Bisedoni hapur me mikun/mikeshën, mos mbani të fshehta. A ia vlen realisht kjo lidhje? Diskutoni pritshmëritë me personin tjetër dhe vendosni bashkë. “Sinqeriteti, komunikimi dhe respekti janë themeli. Veproni me dinjitet, me respekt dhe mendoni mirë para se të hidhni hapin. Sepse në fund të fundit, lidhjet mund të vijnë e të shkojnë, por njerëzit që i keni afër nuk vijnë gjithmonë dy herë.”-thotë psikologia.