Sophia Hutchins, mikja e ngushtë dhe menaxherja personale e Caitlyn Jenner, ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident të rëndë me motor katër rrotash (ATV) pranë rezidencës së Jenner në Malibu, Kaliforni.
Sipas raportimeve të “DailyMail”, aksidenti ndodhi të mërkurën, kur ATV-ja e Sophia-s u përplas me parakolpin e një automjeti në lëvizje dhe më pas ajo u hodh nga një shkëmb mbi 100 metra i lartë, duke përfunduar në një përrua të thellë.

Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por Hutchins u shpall e vdekur në vend.
Nuk është bërë ende e ditur nëse Caitlyn Jenner ndodhej në rezidencë në momentin e ngjarjes, por lajmi ka shkaktuar një tronditje të thellë për të dhe për gjithë rrethin e afërt të saj.
Sophia Hutchins, e diplomuar në Universitetin Pepperdine, ishte një figurë e njohur në komunitetin LGBTQ+ dhe kishte ndjekur rrugën e tranzicionit të frymëzuar nga vetë Caitlyn. Ajo e kishte përshkruar Caitlyn si një figurë prindërore dhe mbështetëse në çdo hap të jetës së saj.
Përveç rolit si menaxhere, Sophia ishte aktive në botën e modës dhe politikës, duke u shfaqur në fushata të markave të njohura si SKIMS dhe duke qenë pjesë e shumë eventeve të rëndësishme publike.

Ajo ishte parë për herë të fundit në prill 2024, pranë Caitlyn, gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Vdekja e saj ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm për Jenner dhe familjen Kardashian-Jenner, me të cilën kishte ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë ndër vite, por edhe për komunitetin më të gjerë që ajo përfaqësonte me guxim dhe dinjitet.