Kur bëhet fjalë për veshjet, shprehja “Made in Italy” është sinonim i cilësisë, mjeshtërisë dhe dizajnit unik. Por është shumë më e vështirë të përcaktosh saktësisht se çfarë ka mënyra se si vishen burrat më me stil të Italisë që i dallon nga të tjerët. Stili i burrave italianë është menjëherë i dallueshëm, por cilat janë veçoritë e tyre që i çojnë veshjet në një nivel tjetër? Pikërisht kjo pyetje ishte ajo që frymëzoi Scott Schuman të krijonte “The Sartorialist” në vitin 2005, ai donte të dokumentonte mënyrën se si visheshin burrat në qytetet e mëdha të Italisë për të deshifruar truket e tyre dhe për të kuptuar se si ia dilnin mbanë.
Pas gjithë këtyre viteve, bota e stilit mashkullor në veshje ka ndryshuar në mënyrë të pamasë. E megjithatë, pa pasur në dispozicion asgjë më shumë se rroba të shkëlqyera, shije të përkryer dhe një vetëbesim për t’u admiruar, burrat në rrugët e Italisë vazhdojnë të jenë yje të stilit. Por çfarë ka mënyra se si ata përditësojnë veshjet klasike që funksionon kaq mirë? Si e arrijnë atë pamje tërësisht italiane, njëkohësisht të pakujdesshme dhe të menduar me aq mjeshtëri?
Dhe si mund të vishet dikush si një italian, kur nuk është i tillë? Për të shtuar pak detaje në stilin personal, nevojitet një vëzhgim i shkurtër i të dyjave: gjërave të vogla (aksesorëve) dhe atyre të mëdha (zgjedhjet e pëlhurave dhe ngjyrave) që burrat italianë përdorin për të arritur pamjen e tyre të kuruar. Sepse, pavarësisht se ku jeton një burrë, gjithmonë do të ketë diçka për të mësuar nga kombi më me stil në botë.
01. Investoni tek një xhaketë e përjetshme

Është e lehtë të biesh pre e tundimit për të shtuar vazhdimisht veshje të reja në garderobë, duke ndjekur trendet, duke blerë çfarë është e re, çfarë vjen më pas, derisa nuk të zë më as edhe një varëse në dollap. Por ne dhe italianët me stil besojmë tek investimi në copëza të përjetshme që mund të shoqërohen me aksesorë sipas dëshirës dhe nuk dalin kurrë nga moda.
“Një xhaketë klasike e përjetshme është, për shembull, një xhaketë blu me kopsat gold, prej liri ose leshi të hollë,” thotë Alessandro Squarzi, një figurë e njohur e stilit të rrugës dhe themelues i një marke.
Nëse është e punuar mirë, mund të vishet për gjithë jetën.
Një stil më veror, si ai bezhë që mban vetë Squarzi në këtë foto, gjithashtu do t’i rezistojë kohës. Mjafton të siguroheni që është e qepur sipas standardeve dhe masave tuaja të sakta.
Nuk ka asgjë më të bukur sesa të marrësh kohë për të shkuar te rrobaqepësi dhe për të bërë një veshje me porosi, duke zgjedhur vetë pëlhurën dhe detajet e kostumit. Të veshësh diçka të qepur me dorë dhe të bërë enkas për ty bën të gjithë diferencën.
02. Mbështetuni te ngjyrat blu

“Veshja me tonalitet” është një term në modë që nënkupton veshjen e një kombinimi tërësisht në nuanca të ndryshme të së njëjtës ngjyrë. Në këtë rast, ngjyra blu përdoret me shumë efekt në pjesën e sipërme, të poshtme dhe te aksesorët. Por ta bësh siç duhet nuk është gjithmonë aq e lehtë sa duket.
“Në veshjet formale, do të shmangia kombinimin e një xhakete dhe pantallonash në dy nuanca të ndryshme të së kaltërës,” thotë Fabio Attanasio, autor i “Scent Of Tailoring” dhe “Vita da Gentleman”.
Ka rrezik të duket si gabim, jo si zgjedhje. Nëse bluja është në pjesën e sipërme, për shembull një xhaketë, mund të luash me pafundësi opsionesh ngjyrash për pantallonat. Ose e kundërta duke nisur me pantallona blu, përputhja bëhet më delikate. Në atë rast, një xhaketë bezhë ose në ngjyrë kremi është një zgjedhje e mirë për një efekt më veror. Ose një xhaketë stili Sahara me jakë, prej pambuku ose përzierje pambuku dhe liri.
03. Ngjyrat neutrale

Kohët e fundit, koncepti i “pasurisë së fshehur” (stealth wealth) ka dominuar diskutimin për ngjyrat neutrale dhe padyshim që nuk jemi kundër zgjedhjes së veshjeve ultra-luksoze, por tepër të thjeshta, si një shprehje e stilit. Megjithatë, ngjyrat neutrale nuk kanë pse të jenë të hekurosura në mënyrë perfekte, të prera ngushtë në trup apo patjetër në spektrin e ngjyrës deve për të qenë elegante dhe tërheqëse.
“Ngjyrat neutrale rikonceptohen si një mjet që ofron një përgjigje krijuese ndaj nevojës gjithnjë në rritje për freski,” thotë Benedetto De Petrillo, themelues i markës me të njëjtin emër.
Duke reflektuar dritën, tonet më të ndritshme krijojnë një efekt të vërtetë freskues, duke përmbushur dëshirën për frymëmarrje dhe qetësi gjatë verës.
Kur bëhen zgjedhje të menduara me kujdes, kjo është ajo që bën dallimin mes një pamjeje të çrregullt dhe asaj me klas.
04. ‘Luani’ me kostumet casual

Thelbi i veshjes italiane është ‘sprezzatura’, arti i të dukurit pa përpjekje. Të veshësh një kostum me lehtësi shpesh tingëllon si diçka e vështirë. Sepse, në fund të fundit, a nuk është kostumi vetë përkufizimi i përpjekjes? Megjithatë, veshja me porosi mund të jetë e përmbajtur dhe elegante, e butë dhe e natyrshme.
“Për italianët, eleganca është një koncept që shkon përtej konvencioneve,” thotë Benedetto De Petrillo.
Qasja jonë ndaj veshjes casual ofron një mënyrë të përjetshme veshjeje, duke përdorur silueta dhe materiale që pasqyrojnë stilin klasik, por që shtojnë një prekje elegante dhe të sofistikuar. Veshjet formale tregojnë çfarë bëjmë, ndërsa ato casual tregojnë kush jemi dhe çfarë aspirojmë të jemi.
Sekreti qëndron te qepja klasike italiane, e cila është tradicionalisht më pak e strukturuar se ajo angleze dhe shpesh pa veshje të brendshme. Mbushjet më të buta në supe dhe vendosja e zgjuar e xhepave e bëjnë këtë kostum të përshtatshëm për një drekë apo për një takim romantik. Zëvendësimi i këpucëve formale me espadrile ose mokasine ju ndihmon gjithashtu për ta bërë veshjen më të veçantë dhe moderne.
05. Detajet, detajet, detajet

“Jam dakord me filozofinë e Coco Chanel,” thotë Squarzi.
Kur vishesh, në vend që të shtosh, hiq diçka. Mendoj se të vetmet aksesorë që duhet të mbajë një burrë janë një orë e bukur, një unazë elegante dhe pse jo një byzylyk i bukur argjendi, vintage.
Pra, mjafton një kostum spezzato (i përbërë nga pjesë të ndryshme), apo jo? Po, por ky zotëri (në foton e dytë të galerisë më sipër) ka shtuar detaje të vogla, thuajse të padukshme, që e çojnë pamjen e tij në një tjetër nivel. Jo diçka e lehtë për t’u arritur, por që duket pa mundim kur e përvesh mëngën në mënyrën e duhur dhe përdor aksesorët me strategjinë e duhur.
Nëse ndihesh pak më i sigurt në përdorimin e aksesorëve, konsidero të shtosh edhe një çantë, një që i jep veshjes një shtresë shtesë teksture për disa pikë bonus. Ose luaj me kontrastin e ngjyrave.
Një qasje tipikisht italiane, por veçanërisht napolitane është të guxosh gjithmonë me ngjyra, duke ruajtur gjithmonë balancën.
06. Kravatat e bëjnë diferencën

Cili është shprehja? Duhet t’i njohësh rregullat që të dish si t’i thyesh ato. “Një kravatë e stampuar, me detaje të ndryshme apo Jacquard është padyshim më formale se një kravatë e thjeshtë një ngjyrëshe,” thotë Fabio Attanasio.
Por gjëja më e rëndësishme është që nyja të krijojë formën e një orë rëre, të mos jetë e lirshme, që maja dhe bishti të jenë të rreshtuar dhe të arrijnë në lartësinë e brezit të pantallonave.
Duke marrë parasysh edhe paraqitjet e fundit, dhjetëra shallë të hollë të lidhur në qafë janë parë të përdoren gjerësisht nga meshkujt. Një shall mëndafshi me motive apo me ngjyrë të ndezur është një mënyrë e shpejtë dhe plot stil për t’i dhënë një tjetër ‘prekje’ një xhakete klasike, veçanërisht kur rasti nuk kërkon domosdoshmërisht një kravatë.