Vushtrria, një ndër qytetet më të vjetra të Kosovës, është e njohur për trashëgiminë e saj të pasur historike dhe kulturore, përfshirë edhe muzikën artistike dhe traditën korale.
Që nga viti 1916, kur Hasan Prishtina themeloi Bandën Muzikore në Vushtrri, ky qytet ka qenë një vatër e gjallë e kultivimit të vlerave muzikore dhe artistike. Banda vazhdoi aktivitetin edhe gjatë viteve të vështira 1941–1945. Në dekadat e ’70-ta dhe ’80-ta, u dalluan për aktivitetin e tyre të pasur shoqëritë kulturore-artistike “Rashid Deda” dhe “Ndërtimtari”. Po ashtu, edhe në fshatra si Studime, Smrekonicë, Pantinë, Stanoc, Zhilivodë e të tjera, përfshirë SHKA “Llamarina”, u zhvilluan veprimtari të rëndësishme artistike.
Edhe gjatë viteve të okupimit serb (1990–1999), arti nuk u ndal. Gjatë kësaj periudhe funksionuan me sukses SHKA “Hasan Prishtina” (1996–1998), Grupi Muzikor “Zëri i Kosovës” (që vazhdoi edhe pas luftës), GM “Jusuf Gërvalla” dhe grupe të tjera.
Pas luftës, SHKA “Rashid Deda” u riemërua në “Hasan Prishtina”, ndërsa SHKA “Lutfi Musiqi” u bashkua me këtë të fundit, duke formuar SHKA “Bahri Kuqi”. Këto shoqëri dhe grupe muzikore kanë mbajtur shumë koncerte të suksesshme brenda dhe jashtë vendit.
Vlen të përmendet se brenda SHKA “Hasan Prishtina” ka funksionuar edhe një kor aktiv, që ka performuar në shumë ngjarje të rëndësishme kulturore.
Vushtrria gjithmonë ka qenë vend i artistëve të mëdhenj, shumë prej të cilëve sot janë pjesë e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës.
Prandaj, nuk qëndrojnë pretendimet se Vushtrria nuk ka traditë muzikore apo korale. Përkundrazi – ky qytet ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në pasurimin e skenës kulturore të vendit.
Komuna e Vushtrrisë mbështet dhe inkurajon të gjitha nismat artistike, përfshirë edhe themelimin e korit më të ri “Vicianum”, i krijuar me përkrahje nga MKRS-ja. Këtij formacioni i urohet suksese dhe një rrugëtim i begatë në promovimin e vlerave muzikore të qytetit dhe më gjerë.