Fenomeni i armëmbajtjes pa leje po merr përmasa shqetësuese në vendin tonë, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve, madje edhe të fëmijëve. Rasti i fundit tronditës ndodhi mbrëmjen e së martës në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë, ku disa fëmijë u përballën me një skenë dramatike që mund të kishte përfunduar tragjikisht.
Rreth orës 20:35, një i mitur alarmoi Policinë pasi, së bashku me vëllain dhe dy motrat, kishte vërejtur një person që lëvizte në lagje me armë zjarri në brez. Të tmerruar, fëmijët u larguan me shpejtësi për në shtëpi.
I dyshuari, i identifikuar si L.O., 37 vjeç, ishte pjesë e një familjeje me të cilën familja e fëmijëve kishte pasur konflikte të mëparshme – çka vetëm sa e rriti ndjenjën e rrezikut dhe panikut.
Policia reagoi menjëherë, duke e lokalizuar dhe ndaluar të dyshuarin. Gjatë kontrollit fizik, oficerët i gjetën në brez një armë zjarri si dhe një sprej OC (shtypës nervor), të cilat u konfiskuan menjëherë.
L.O. u arrestua dhe u mor në pyetje nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, ai u ndalua për 48 orë nën dyshimin për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Rasti po hetohet me intensitet të lartë nga njësitë hetimore të Policisë së Vushtrrisë, ndërsa autoritetet e konsiderojnë situatën si alarmante për shkak të përfshirjes së fëmijëve dhe historikut të tensionuar ndërmjet familjeve përkatëse.